-Dy foto, shumë kujtime në retrospektivën e çmëndur të jetës

Nga BUJAR QESJA

Ka fotografi, që janë formalisht kujtime. Dhe ka të tjera, që janë histori të gjalla. Fotoja që po publikojmë, nuk është çast i zakonshëm, por përmbledhje e një jete të tërë, kapitull i hapur i kujtesës njerëzore dhe letrare. Fotografia flet më shumë, se një mijë fjalë.

Në konakun tim, mbushur me gjelbërim, ku drita e diellit depërton butë mes gjetheve, relativisht i vogël në formë, por i pambarimtë në përmbajtje janë ulur dy burra, dy miq, dy bashkëbisedues të kohës dhe kujtesës. Në njërën anë unë, në tjetrën një figurë që mbart histori të tërë mbi supe, Namik Mane.

Një buzëqeshje e lehtë, një shikim i kthjellët dhe një prani, që nuk ka humbur asgjë nga krenaria e viteve edhe pse koha ka lënë gjurmët e saj. Njohur së bashku, në mesin e viteve 70-të.

Një buzëqeshje e qetë, pa bujë, por me peshë. Koha ka bërë të vetën. Flokët e bardhë, rrudhat e thella, por nuk ka mundur t’i prekë shpirtin. Ky nuk është vetëm portret, i një njeriu që ka hyrë në vitin e 85-të të jetës. Është dëshmi e gjallë e qëndresës. Një histori, që nuk u shua edhe kur u përpoqën ta mbulonin me heshtje.

Çamët e mi më shumë se të mirë

Ruaj një respekt për çamët. Mbase edhe të njohurit e mi, janë njëri më i mirë se tjetri. Në vëmëndjen time, çamët janë njerëz të pashëm, shumë punëtorë, të gjindshëm, të shkathët dhe të mënçur. Do të përmënd disa emra dhe zor, se mund të më kundërshtohet opinioni që çfaq për ta.

Namik Mane mbetet shtyllë e Çamërisë. Zë i fortë, i një historie të dhimbshme. Jo më pak të fortë, jo më pak të aftë dhe të zot janë janë edhe miq të tjerë çam. Namik Sadiku biznesmeni me aftësi të lindura, skulptori Idriz Balani, poeti Agim Bajrami, eruditi Tasim Besho, studiuesi 91 vjeçar Hajredin Isufi, këngëtari Hysni Alushi, biznesmeni i shtypit Agim Memko, e të tjerë.

Një rrënjë e dhimbshme, një lindje poetike

Namik Mane, u lind më 13 mars 1942 në Koskë të Filatit, truall që mbart plagët e historisë çame. Fëmijëria nuk i nisi me përralla, por me dhimbje. Në vitin 1945, familja e tij, si mijëra të tjera, u detyrua të largohej nga vendlindja për shkak të masakrave zerviste. Babai, Ali Rustem Mane, mori mbi supe fatin e një familjeje të madhe dhe u vendos fillimisht në Shijak, për të ardhur më pas në Durrës në vitin 1948.

Kjo zhvendosje nuk ishte ndryshim vendbanimi, por një plagë që do të ushqente më vonë vargjet e poetit. Në Durrës, Namiku u rrit, u shkollua dhe u formua. Kreu shkollën fillore, tetëvjeçaren dhe të mesmen, si dhe një shkollë teknike elektrike. Filloi punë si elektriçist në ndërmarrjen ushqimore. Jetë e thjeshtë, por brenda saj po rritej zë tjetër, zëri i poezisë.

Vitet e rinisë një zë befasues

Në fillim të viteve ’60-të, Namik Mane u shfaq si talent i spikatur. Shkruante për jetën, për dhimbjen, për njeriun. Ishte poeti, por edhe dëshmitari. Poezitë e tij nisën të botohen në shtypin letrar të kohës si “Drita”, “Nëntori”, “Ylli” dhe “Zëri i Rinisë”. Ishte zë i ri, i prekshëm, me ndjeshmëri të veçantë dhe lidhje të fortë me fatin njerëzor.

Mane krijoi miqësi me figura të njohura të letërsisë si Bilal Xhaferri, Moikom Zeqo, Shefki Hysa, Bardhyl Agasi, Petraq Risto, Thanas Mustaqi etj. Ishin vite krijimtarie dhe shprese. Në vitin 1967, u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vlerësim i merituar për një talent në rritje. Por kjo ngjitje, u ndërpre brutalisht.

Goditja e madhe kur fjala iu ndalua

Historia nuk e la të qetë Namik Manen. Libri i tij poetik “Lirikat e ushtarit”, i përgatitur për botim nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, u bllokua për shkaqe politike. Jo vetëm kaq. Namikut iu hoq e drejta e botimit për 15 vite. Për një krijues, kjo është nga dënimet më të rënda. Nga poet i ri në ngjitje, në një të internuar, të heshtur, të përjashtuar.

Në vitin 1968, u internua në Hamallaj. Goditje e rëndë, për një shpirt krijues. Atje, në baltën e internimit, ndodhej edhe miku i ngushtë, Bilal Xhaferri. Të dy, në kushte të vështira, ndërtuan vëllimin poetik të përbashkët: “Një siluetë në errësirë”. Titull që duket sikur përmbledh, gjithë jetën e tyre në atë kohë. Por as ky libër, nuk pa dritën e botimit.

Në vitin 1969, Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria. Me të, u ndërpre edhe një pjesë e rëndësishme e jetës shpirtërore të Namik Manes.

Jetë në hije, por jo e dorëzuar

Pas këtyre goditjeve, Namik Mane u tërhoq nga jeta letrare. Jo sepse nuk kishte ç’të thoshte, por sepse nuk kishte ku ta thoshte. Punoi në kushte të vështira, në impiante, në punë të rëndomta. Familja e tij e madhe 56-të veta, përjetoi internimin. Jeta e tij u godit dhe u trondit nga shumë dukuri. Sakrifica, humbje, përfshirë edhe atë të bashkëshortes.

Por Mane nuk u thye. Sepse disa njerëz, nuk janë bërë për t’u thyer. Mbeti i njëjti, i fortë, i paepur, i heshtur në dukje, por i gjallë brenda.

Rikthimi, fjala që nuk shuhet

Vetëm në fillim të viteve ’90-të, pas rënies së sistemit, Namik Mane rifilloi të botojë. Ishte një rikthim i vonuar, por i fuqishëm. Botimet e tij si “Pjergulla e lotëve”, “Album poetik” dhe vëllimi me tregime “Një natë e zakonshme” (i përkthyer edhe në italisht nga Amik Kasoruho), dëshmojnë një autor të pjekur, të thellë dhe të ndjerë.

Përfshihet aktivisht në jetën kulturore, si nënkryetar i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe si korrespondent i revistës “Krahu i shqiponjës”.

Njeriu përtej poetit

Në jetën personale, Namik Mane mbetet baba dhe gjysh i përkushtuar. Dy vajzat jetojnë në Kanada, në Vernone, vend me liqene e pyje, ku shkon herë pas here. Ato janë të arsimuara, të plotësuara dhe kjo është nga krenaritë më të mëdha.

Por gjithmonë kthehet në Durrës. Tek miqtë. Tek kujtimet. Tek rrënjët. Sepse aty është bota e tij.

Dritë që vazhdon

Namik Mane nuk mbetet një poet. Është edhe një dëshmi. Një simbol i qëndresës shpirtërore. Një njeri që e kaloi jetën mes dritës dhe errësirës, por nuk e humbi kurrë besimin në fjalën.

Është në vitin e 84-t të jetës, por mbetet i gjallë fizikisht dhe shpirtërisht. Dhe kjo është fitorja më e madhe. Sepse ka njerëz që jetojnë gjatë. Dhe ka të tjerë si ai, që mbeten.

Fotoja dialog i heshtur

Duke e parë foton, kupton se nuk është vetëm një takim. Është një dialog mes dy kohëve. Një rrëfim, që nuk ka nevojë për fjalë. Ndodhemi në këtë oborr të qetë. Dy burra që kanë parë shumë. Njëri duke kujtuar, tjetri duke dëgjuar. Një gotë e vogël mbi tavolinë, një bisedë që ndoshta flet për të shkuarën, për miqtë që nuk janë më, për vargjet që nuk u botuan kurrë.

Por edhe për ato që mbetën. Sepse poezia e vërtetë nuk zhduket. Ajo pret. Dhe kjo mjafton.

Jetë që mbetet

Namik Mane është më shumë se një poet. Është një kujtesë. Një dëshmi. Një simbol. Nuk është një njeri që ka jetuar 84 vite, por njeri që ka përballuar 84 vite. Dhe në fund, ajo që mbetet nuk janë vetëm vargjet.

Është qëndresa. Është dinjiteti. Është drita, që nuk u shua kurrë. Sepse ka njerëz që jetojnë dhe ka të tjerë që bëhen histori. Kështu ishte, kështu është dhe kështu do të mbetet, miku im, i miri Namik Mane.

Bujar Qesja

Durrës: 21 prill 2026

Pamje 1: Namik Mane.

Pamja 2: Nga e djathta: shkrimtari dhe poeti i njohur Namik Mane dhe gazetari Bujar Qesja.