Shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, njëherazi Muzeu Etnografik i Durrësit hapi sot dyert pas gati 7 vitesh që qëndronte i mbyllur.
Kurioziteti i natyrshëm për të riparë këtë shtëpi dhe për më tepër për të konstatuar se çfarë kishte ndryshuar në të pas rijetëzimit na çoi drejt saj mëngjesin e sotëm.
Por sapo kalon pragun e shtëpisë me çardak të gjysmës së dytë të shekullit XIX syri nuk mund të mos të shkojë tek tabela e parë informuese që të shfaqet.

Në të shkruhet në shqip dhe anglisht:
“Banesa ku lindi dhe kaloi disa vite të fëmijërisë Aleksandër Moisiu, u ndërtua në fillim të shekullit të XIX. Ky monument u restaurua si pjesë e programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian”.
“Aleksandër Moisiu lindi në Durrës???”,- është pyetja e parë, që mendja nis proceson sapo lexon këto radhë.
E ndërsa nis të mendoj se kujtesa po më luan ndonjë rreng, ngjitemi në kat të dytë, ku dy nga dhomat e shtëpisë i janë dedikuar materialeve arkivore, pikturave, skulpturave etj dedikuar pikërisht aktorit të famshëm me origjinë shqiptare.
Ndërkohë që operatori është duke filmuar një tjetër tabelë informuese në krye të shkallëve, që i dedikohet Aleksandër Moisiut, unë afrohem të lexoj.

Këtë herë tabela është e shkruar në 3 gjuhë; shqip, anglisht dhe italisht.
“Aleksandër Moisiu lindi në Trieste më 2 prill 1879 nga një baba shqiptar i familjes së Moisive nga qyteti i Kavajës dhe nëna italiane nga familja De Radio nga qyteti i Gonzia (Trieste).
Tabela e dytë vetëm pak metra larg të parës thotë se Aleksandri lindi në Trieste, ashtu siç e kemi mësuar edhe në histori.
Cilido vizitor që do t’i lexonte dy tabelat do habitej: Si është e mundur që po i njëjti person të ketë lindur në dy vende të ndryshme, shumë larg njeri-tjetrit???
Nisur nga rëndësia që ky emër ka në Durrës, minimalisht duhet t’i qëndrojmë rigoroz fakteve historike duke mos bërë gafa me to. Janë të shumta materialet historike për Moisiun, që dëshmojnë vendin e tij të lindjes (si faksimilja që po publikojmë më poshtë), sa është mjaft e vështirë të bësh një gabim të tillë, pikërisht në tabelat informuese të shtëpisë së tij muze.

Madje për të qenë edhe “më të sigurt” bëmë atë që bëjnë shumë nga ne këto kohë, pyetëm Chat GPT-në.
Edhe Chat GPT e dinte sikurse e dinim edhe ne: Që Aleksandër Moisiu ka lindur në Trieste.

Aleksandër Moisiu përfaqëson një personalitet të artit dhe kulturës, me të cilin Shqipëria është krenuar, pavarësisht, se ai aktivitetin artistik e zhvilloi në Vienë, Austri.
Në Durrës, dy institucione shumë të rëndësishme të dijes dhe kulturës mbajnë emrin e tij; Universiteti dhe Qendra Kulturore.
Të lësh një tabelë që përmban një informacion të gabuar, që në hyrje të shtëpisë muze tregon minimalisht mungesë respekti për këtë personalitet!
M.B.





