Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka rihapur dyert paraditen e kësaj të marteje gjatë një ceremonie, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i turizmit dhe kulturës Blendi Gonxhja, ambasadori i BE-së në vendin tonë Silvio Gonzato, përfaqësuesit më të lartë të UNOPS-it, drejtues të pushtetit qendror dhe vendor etj.

Muzeu më i rëndësishëm i Durrësit dhe një nga më të rëndësishmit në Shqipëri dëshmon përmes ekspozimit të rreth 3200 artefakteve duke nisur nga periudha e neolitit, rreth 8500 vite më parë, nga periudha Greke e lashtë, Helenistike dhe Romake zhvillimin e qytetit buzë Adriatikut në kohët antike.

I hapur fillimisht më 13 mars 1951, muzeu pas restaurimit të fundit me fondet e BE-së, falë programit EU4Culture, i rihap dyert me një konceptim komplet të ri dhe funksional në të tre katet e tij.

Gjatë fjalës së ij, ministri i Turizmit dhe Kulturës Blendi Gonxhja bëri të ditur se stafi i muzeut do të plotësohet me 17 punonjës të rinj, gjë që do të garantojë një shërbim edhe më të mirë kundrejt vizitorëve dhe turistëve.  

Rikthimi i mozaikut të famshëm “Bukuroshja e Durrësit” në qytetin, ku ai u zbulua i jep restaurimit të muzeut një tjetër vlerë. Por restaurimi i plotë i mozaikut do të marrë kohë dhe këtë proces do ta kryejë restauratori Agron Islami me grupin e tij.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij falenderoi Bashkimin Evropian për gjithë ndihmën e vyer që kanë dhënë në vendin tonë me programin EU4Culture për rijetëzimin e monumenteve dhe muzeve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019.  Në të njëjtën linjë u shpreh dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato:

“Njerëzit thonë shpesh se ne jemi burokratë të vështirë dhe në disa raste ne jemi ashtu. Por në rastin e programit EU4Culture ata gabohen. Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem këtu, në hapjen e Muzeut Arkeologjik, i cili u restaurua falë programit EU4Culture. Solidariteti është princip themelor për BE-në, prandaj ky program nuk konsiston vetëm në restaurimin e monumenteve të rëndësishëm në Shqipëri, por edhe për të ndihmuar rijetëzimin e siteve të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019”.

Aktualisht në muze janë ngritur pavionet e veçanta, dedikuar periudhave të ndryshme historike në dy katet e para të tij. Muzeu Arkeologjik i Durrësit, pas restaurimit që zgjati 3 vite e gjysëm, ka funksional tashmë edhe oborrin e jashtëm.

M.B.