Përgjatë kësaj jave, Fakulteti i Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” po zhvillon javën ndërkombëtare shkencore, një event që mbahet për të dytin vit radhazi në Durrës.
Zv. Dekania për kërkimin shkencor Edlira Llazo shpjegon për “DurrësLajm” rëndësinë e madhe të këtij aktiviteti ndërkombëtar, ku të pranishëm janë dhjetëra përfaqësues nga universitetet partnere.
“Java shkencore ndërkombëtare e Fakultetit të Biznesit është konceptuar këtë vit si një forum dinamik i ndërkombëtarizimit, që do të thotë se është një javë e mbushur plot me aktivitete, me prezencë të jashtëzakonshme nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga Universitetet partnere. Janë rreth 39 universitete partnere që na nderojnë me përfaqësuesit e tyre. Ka shumë lektorë që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Janë 17 shtete prezente në këtë javë dhe në të gjithë këtë lëmë aktivitetesh, ëorkshop-esh, leksionesh të hapura fokusi ka qenë krijimi i një impakti real në projekte të përbashkëta, në mobilitete, marrëdhënie shkëmbimi me universitetet etj.”
Konferencën ndërkombëtare “IA dhe transformimi i drejtuar nga qëndrueshmëria” e përshëndetën rektori i UAMD, Shkëlqim Fortuzi dhe Dekani i Fakultetit të Biznesit, Llambi Prendi të cilët e vunë theksin gjatë fjalës së tyre tek rëndësia e krijimit të bashkëpunimeve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe shndërrimit të kësaj jave në një platformë konkrete për shkëmbim përvojash, zhvillim projektesh dhe forcim të kapaciteteve akademike, në funksion të lidhjes së arsimit me inovacionin dhe tregun.
Ndërsa prefekti i qarkut Durrës Ardian Gurra nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes UAMD-së dhe institucioneve vendore e qëndrore.
E pranishme në komferencën ndërkombëtare ishte edhe zv/ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme. Megi Fino, e cila gjatë fjalës së saj e vuri theksin në sfidat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, sidomos në këtë periudhë ku janë hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE dhe rolin aktiv që institucionet e dijes dhe bota akademike duhet të luajnë në këtë proces.
M.B.





