Në pamje të parë, kur sheh manovrat e rrezikshme që bëjnë në rrugë të shkon ndërmend se bëhet fjalë për shoferë të dehur.
Por kur sheh që të gjithë ndjekin po atë trajektore dhe ndërrojnë shpeshherë korsi qarkullimi e kupton se fajin e ka rruga.
Bëhet fjalë për aksin drejt kampusit Universitetar në Spitallë, atë që të çon tek.Eco Park, dy portet e karburanteve etj.
Nuk është hera e parë që “DurrësLajm” e ngre problematikën e këtij aksi, që në segmente të veçanta ka degraduar tërësisht.
I përshkuar në çdo orë të ditës nga qindra mjete të tonazhit të rëndë, por edhe automjete të vogla, ky aks i detyron shoferët të bëjnë “akrobaci” të rrezikshme me timonin dhe makinën.
Në sezonin veror, ai është mjaft i frekuentuar edhe nga pushuesit, që shkojnë në plazhin e bukur të Sektorit Rinia.
Por para sesa të shkosh në plazh rrezikon të dëmtosh automjetin duke rënë në ndonjë nga gropat e shumta e të thella, të krijuara në asfalt.
Si shumë akse të tjera të Durrësit, edhe kjo rrugë ka mbetur rrugëve për shkak të punimeve pa cilësi, mungesës së mirëmbajtjes dhe degradimit.
M.B.





