57-vjeçari, i identifikuar si Nikoll Radaçi, ka dhënë dëshminë e tij në polici pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Në dëshminë e tij para uniformave blu, ai ka shfaqur pendesë për ngjarjen dhe ka pranuar se para aksidentit kishte konsumuar alkool. Gjithashtu, 57-vjeçari ka deklaruar se nuk mban mend detaje nga momenti i aksidentit, duke theksuar se ka qenë në gjendje të dehur.

“Më vrisni. Nuk meritoj të jetoj. Dua të vras veten. Çfarë të them!? Ka ngelur gjë për të thënë më!? Jam i tronditur. Nuk mbaj mend asgjë. Mora në qafë fëmijët. Isha në gjendje të dehur,” ka deklaruar ai.

Aksidenti ndodhi pasditen e sotme, rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15, në Durrës. Si pasojë e aksidentit, dy prej të miturve kanë humbur jetën, ndërsa i mituri tjetër është në gjendje të rëndë dhe është transportuar për ndihmë më të specializuar në Tiranë.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë duket qartë se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe, pasi ka goditur fëmijët, ndalet vetëm pasi përplaset me një makinë të parkuar para një lokali.

Ai u kap nga një patrullë policie në një rrugë pranë vendit të ngjarjes.