Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtori i policisë qarkut Durrës, Afrim Tafa. Në vend të tij është emëruar përkohësisht Ervin Hodaj.
Po ashtu për performancë të dobët është pezulluar edhe zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë Durrës, Zija Sulaj dhe shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.





