Këtë 5 maj, në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës, autoritetet më të larta vendore dhe qendrore, përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve si dhe të afërm të dëshmorëve të atdheut morën pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast.
Në këtë ditë përkujtimore të të rënëve kujtohet me respekt dhe mirënjohje sakrifica e atyre djemve dhe vajzave, që bënë sakrificën sublime, duke dhënë edhe jetën për atdheun.
Të pranishmit kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në nderim të të rënëve, që me gjestin e tyre heroik kontribuuan për një Shqipëri të lirë.
Ky 5 maj e gjen Mauzoleumin e Dëshmorëve pa iu nënshtruar ende rikonstruksionit të plotë. Tenderi është zhvilluar në fund të vitit të kaluar dhe aktualisht po punohet për plotësimin e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm dhe lejeve përkatëse për fillimin e ndërhyrjes në objekt. Për Shoqatën e Veteranëve dhe të afërmit e dëshmorëve, rikonstruksioni i godinës është mëse i mirëpritur. S
Aktualisht, në Mauzoleumin e Dëshmorëve shumë nga pllakatat me emrat e tyre janë të dëmtuara dhe rikthimi i godinës në gjendjen, që do të impononte respekt për dëshmorët e atdheut është kërkesë e vazhdueshme e Shoqatës së Veteranëve.
M.B.





