Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ishte e pranishme sot në ceremoninë zyrtare të projektit EU4Municipalities II, i cili është një program strategjik për forcimin e pushtetit vendor dhe mbështetjen e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së saj, Sako e vuri theksin në rëndësinë që ky projekt merr për bashkinë e Durrësit, sidomos në drejtim të modernizimit të shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive më të mira për qytetarët.

“Durrësi është një qytet me një histori të pasur dhe një rol strategjik në zhvillimin e vendit tonë. Si një nga qendrat kryesore ekonomike, kulturore dhe sociale të Shqipërisë, ne punojmë vazhdimisht për modernizimin e shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive më të mira për qytetarët tanë. Njëkohësisht, jemi të përkushtuar për të harmonizuar zhvillimin tonë lokal me standardet evropiane, duke siguruar që komunitetet tona të përfitojnë nga një zhvillim i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Në këtë kontekst, projekti EU4Municipalities luan një rol thelbësor. Ai ofron mbështetje konkrete për bashkitë duke forcuar kapacitetet institucionale, përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike dhe promovuar inovacionin dhe praktikat e mira të qeverisjes. Mbi të gjitha, ky projekt ndihmon në përkthimin e reformave kombëtare dhe prioriteteve evropiane në përmirësime konkrete në nivel lokal, aty ku ato kanë ndikimin më të madh tek qytetarët”,- tha Sako ndër të tjera në fjalën e saj.

Fjala e plotë e kryetares së bashkisë Emiriana Sako:

Është një kënaqësi e veçantë t’ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në Durrës për lançimin zyrtar të projektit EU4Municipalities, Faza II,një aktivitet i rëndësishëm, që bashkon aktorë kyç kombëtarë dhe ndërkombëtarë të angazhuar në forcimin e qeverisjes vendore në Shqipëri.

Prania juaj sot reflekton jo vetëm partneritete të forta institucionale, por edhe një vizion të përbashkët për një sistem të qeverisjes vendore më efektiv, transparent dhe të orientuar ndaj qytetarit. Pikërisht përmes këtij bashkëpunimi ne mund të ecim përpara me besim në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë.

Durrësi është një qytet me një histori të pasur dhe një rol strategjik në zhvillimin e vendit tonë. Si një nga qendrat kryesore ekonomike, kulturore dhe sociale të Shqipërisë, ne punojmë vazhdimisht për modernizimin e shërbimeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive më të mira për qytetarët tanë. Njëkohësisht, jemi të përkushtuar për të harmonizuar zhvillimin tonë lokal me standardet evropiane, duke siguruar që komunitetet tona të përfitojnë nga një zhvillim i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Në këtë kontekst, projekti EU4Municipalities luan një rol thelbësor. Ai ofron mbështetje konkrete për bashkitë duke forcuar kapacitetet institucionale, përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike dhe promovuar inovacionin dhe praktikat e mira të qeverisjes. Mbi të gjitha, ky projekt ndihmon në përkthimin e reformave kombëtare dhe prioriteteve evropiane në përmirësime konkrete në nivel lokal, aty ku ato kanë ndikimin më të madh tek qytetarët.

Faza e parë e projektit EU4Municipalities vendosi një bazë të fortë për përmirësimin e qeverisjes vendore dhe ofrimit të shërbimeve në të gjithë Shqipërinë. Përmes mbështetjes financiare të synuar, ajo mundësoi zbatimin e iniciativave konkrete mbështetën projekte të fokusuara në forcimin e infrastrukturës publike dhe shërbimeve lokale, duke ndihmuar bashkitë të adresojnë nevoja kyçe zhvillimore dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët.

Faza e dytë e projektit EU4Municipalities parashikon një skemë të zgjeruar grantesh, e dizajnuar për të adresuar nevojat e ndryshme të bashkive dhe për të rritur ndikimin në nivel vendor, duke u fokusuar kryesisht në investime në infrastrukturë dhe përmirësimin e shërbimeve vendore, si dhe duke integruar prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm, digjitalizimit dhe përfshirjes sociale. Kjo fazë vjen në një moment të rëndësishëm, kur bashkitë përballen me përgjegjësi dhe pritshmëri në rritje, ndaj forcimi i kapaciteteve të tyre, rritja e bashkëpunimit dhe promovimi i shkëmbimit të njohurive mbeten hapa thelbësorë drejt ndërtimit të qeverisjeve vendore më të qëndrueshme dhe të orientuara drejt së ardhmes.

Ne besojmë fort se bashkitë janë themeli i një shoqërie të fortë dhe demokratike. Nisma si EU4Municipalities tregojnë se si partneritetet ndërmjet pushtetit vendor, institucioneve qendrore dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të sjellin rezultate reale dhe afatgjata.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë partnerët e përfshirë për mbështetjen, përkushtimin dhe besimin e vazhdueshëm. Kontributi juaj është thelbësor për fuqizimin e bashkive dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

I uroj kësaj faze të re të projektit shumë sukses dhe pres me interes rezultatet pozitive që do të sjellë për të gjitha bashkitë tona.