Pas rrugës së Currilave, në 3 akse të tjera të qytetit të Durrësit po vendoset sinjalistika përkatëse për vendparkimet me pagesë.

Aktualisht puna është përqendruar në akset “Taulantia” “Mars 91” (rruga paralel me portin) dhe tek rruga “Pavarësia” në zonën e plazhit, ku po vendosen vijëzimet në ngjyrë blu, që përcaktojnë vendparkimet me pagesë.

Përmes një postimi në rrjete sociale, kryebashkiakja Emiriana Sako bën të ditur se “ky vendim synon të ulë kohën e qëndrimit të automjeteve në një vend parkimi por edhe njëkohësisht të sigurojë të ardhura për bashkinë, të cilat do të përdoren për shërbime publike dhe investime në funksion të qytetarëve”.

Në të njëjtën kohë, ajo fton qytetarët “të bashkëpunojnë duke liruar vendet e parkimit aty ku marrin njoftimet përkatëse, në mënyrë që realizimi i sinjalistikës të kryhet pa pengesa”.  

Rrugët e mësipërme janë akset që regjistrojnë numrin më të lartë të automjeteve që qarkullojnë në qytet dhe njëkohësisht kanë një numër mjaft të konsiderueshëm vendparkimesh në të dy anët e këtyre segmenteve.

Bashkia ende nuk ka një datë ekzakte se kur do të nisë aplikimi i vendparkimeve me pagesë po aktualisht po punohet për vendosjen e sinjalistikës përkatëse horizontale, si dhe asaj vertikale.

Dy vite më parë, Këshilli Bashkiak, me vendimin nr. 66, datë 25.06.2024 përcaktoi akset e qytetit, si dhe sheshet respektive ku vendparkimet do të jenë me pagesë, njëkohësisht dhe tarifat për orët e qëndrimit.

Rezidentët që kanë banesat përgjatë këtyre akseve mund t’i parkojnë mjetet e tyre në rrugët dytësore të zonës, por mund t’i parkojnë edhe në vendparkimet me pagesë kundrejt një tarife vjetore prej 10.000 lekësh të reja.

Operatori privat që po vendos sinjalistikën përkatëse për parkimet me pagesë duhet ta përfundojë procesin brenda  60 ditëve.

Sipas bashkisë, pas vendosjes së sinjalistikës, institucioni i qeverisjes vendore do të lërë në dispozicion të qytetarëve një periudhë kohore testimi të të gjithë infrastrukturës së ngritur për këtë qëllim. Pagesa për vendparkimet do të bëhet përmes sms-ve.

M.B.