Një urë që lidh qytetin Caraballeda me pjesën tjetër të shtetit La Guaira në Venezuelë është shembur pas një lëkundjeje të re sizmike me magnitudë 4.9 që u regjistrua pasditen e sotme.
Shembja e strukturës ka sjellë ndalimin e plotë të qarkullimit në këtë aks rrugor, duke e bërë më të vështirë lëvizjen në një zonë tashmë të prekur nga tërmetet e ditëve të fundit.
Autoritetet lokale thonë se bllokimi i rrugës po pengon operacionet e ndihmës dhe transportin e ekipeve të shpëtimit, duke e komplikuar menaxhimin e situatës emergjente në terren.
Që prej 24 qershorit, në La Guaira janë raportuar dëme të shumta në ndërtesa, spitale dhe infrastrukturë publike. Ekipet e emergjencës po vijojnë kërkimet mes rrënojave në kushte të vështira.
Lëkundja e fundit vjen pas një tjetër tërmeti me magnitudë 4.4 të regjistruar më herët, ndërsa autoritetet raportojnë se aktiviteti sizmik në zonë mbetet i lartë dhe rreziku i pasgoditjeve vazhdon.





