Mijëra banorë në Zelandën e Re kanë mbetur pa energji elektrike, pasi një sistem i fuqishëm me presion të ulët përfshiu pjesën më të madhe të vendit, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe probleme të shumta në infrastrukturë.
Sipas kompanisë së shpërndarjes së energjisë Powerco, më shumë se 3,000 ndërprerje të furnizimit me energji elektrike u raportuan këtë të shtunë, ndërsa stuhitë goditën zonat qendrore të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Wellington.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik bëri të ditur se, pas rreth 24 orësh reshjesh intensive dhe erërash të forta, moti i keq po tërhiqet gradualisht. Megjithatë, autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht drejtuesit e automjeteve, për shkak të mbetjeve në rrugë, zonave të përmbytura dhe rrezikut të lartë për rrëshqitje dheu në rajonin e Wellingtonit.
Moti ekstrem shkaktoi gjithashtu probleme serioze në transportin ajror. Rreth 200 fluturime drejt dhe nga Wellingtoni u anuluan të premten, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar.
Në qytetin Lower Hutt, në verilindje të kryeqytetit, autoritetet raportuan rrugë të përmbytura dhe të paktën dy rrëshqitje dheu, të cilat vështirësuan qarkullimin.
Zelanda e Re është përballur edhe më herët me fenomene të ngjashme. Në muajin janar, reshjet e dendura shkaktuan një rrëshqitje dheu në një kamping në Ishullin e Veriut, ku humbën jetën gjashtë persona.





