Më 4 korrik, ditën kur u zhvillua në Tiranë protesta mbarëkombëtare, që përkonte njëkohësisht me ditëlindjen e kryeministrit Edi Rama, disa të rinj sollën në shesh një arkivol që sipas tyre simbolizonte fundin politik të kreut të qeverisë.

Gjesti i tyre nxiti reagime të shumta, sidomos në radhët e maxhorancës qeverisëse, ku nuk munguan postimet nga ana e kreut të grupit parlamentar Taulant Balla, deputetit Erjon Braçe, apo edhe të vetë Ramës, që e paralelizoi situatën e krijuar në shesh, me atë të vitit 1998, kur arkivoli me trupin e Azem Hajdarit u ngjit nga demokratët në shkallët e kryeministrisë.

Për të kuptuar më shumë lidhur me motivet që i shtynë të përdornin një simbolikë të tillë, që për disa mund të konsiderohet e tepruar, “DurrësLajm” zhvilloi një intervistë me 3 prej protagonistëve Artion Barjamaj, Flamur Bala dhe Enrik Shënepremte, që e sollën këtë arkivol nga qyteti bregdetar në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.

Si një nga të rinjtë, që e propozoi këtë ide, që u materializua në shesh, Barjamaj thotë se kjo është një mënyrë simbolike e të protestuarit që është vënë në jetë edhe në vende të tjera evropiane.

Përsa i përket konteksit që ata deshën të përcjellin më datë 4 korrik, Barjamaj shprehet:

“Është një simbolikë e fortë që tenton të transmetojë një mesazh dhe mesazhi ynë ishte shumë i qartë: Fundi politik i Edi Ramës, pasi ky është qëllimi i protestës që po zhvillohet prej 37 ditësh, sot dita e 38 në Tiranë”.

I të njëjtit qëndrim është dhe Flamur Bala, që disa orë pasi arkivoli u shfaq në shesh reagoi në rrjete sociale duke sqaruar simbolikën e tij.

Për Balën, “arkivoli ishte një simbol rezistence dhe tregonte se ata (qeveria) politikisht ka ndërruar jetë. Si lëvizje politike, Rilindja simbolikisht ka ndërruar jetë. Ata nuk qeverisin dot më”.

Gjatë iintervistës, të rinjtë nga Durrësi, që prej vitesh janë protesta të ndryshme të zhvilluara në qytetin bregdetar, kryesisht të thirrura nga opozita, sjellin edhe shembuj konkretë të dështimit të qeverisjes 13-vjeçare të PS-së.

Por a janë ndjerë të kërcënuar gjatë këtyre ditëve nga reagimet e shumta që pasuan shfaqjen në shesh të arkivolit?

Enrik Shënepremte thotë se kërcënimet kanë qenë të përqendruara në rrjete sociale, kryesisht nga adresa false apo nga ushtria e patronazhistëve, siç parapëlqen të quajë ai.

“Janë thjesht një formë intimidimi dhe nuk ndihem aspak i kërcënuar realisht. As unë e as miqtë e mi”,- thotë Enriku.

Të 3 djemtë janë bërë pjesë e protestave të përditshme në Tiranë thuajse që nga ditët e para.

Por si e mendojnë ata ecurinë e protestës, a do t’i arrijë ajo objektivat e saj dhe në fund cili do të jetë produkti që mund të dalë prej saj?

Këtyre dhe të tjerave pyetje, 3 të rinjtë i kthejnë përgjigje në intervistën e mëposhtme.

M.B.