Paraqitja e projektvendimeve jashtë afateve ligjore të parashikuara në rregulloren e Këshillit Bashkiak Durrës ka nxitur reagimin e kreut të grupit të këshilltarëve demokratë, Ardian Muka.

Në nisje të mbledhjes, Muka ka propozuar ndryshim të rregullores, duke i ftuar edhe këshilltarët e majtë, që të bëhen pjesë e këtij procesi. Sipas Mukës, kryesia e Këshillit Bashkiak nuk duhet të ketë më vetëm funksion këshillues dhe informues, por të ketë edhe funksion vendimmarrës, me qëllim që të jetë kryesia, ajo që do të marrë vendim nëse projektvendime të caktuara do të futen apo jo në rend dite.

Ndërkohë, këshilltarja Flutura Kasa shprehu gatishmërinë e saj për të votuar përherë pro çështjeve sensitive që kanë lidhje me dëmshpërblimin e të përmbyturve apo procesin e rindërtimit, por kërkoi që dosjet e secilit person që përfiton nga procesi i rindërtimit, tu vihen në dispozicion këshilltarëve.  

M.B.