Jemi në mesin e muajit korrik, por rezervimet në hotelet e Durrësit nuk janë në pritshmëritë e strukturave akomoduese.
Nisja mbarë e sezonit që në muajin prill u pa nga pronarët e hoteleve përgjatë vijës bregdetare si një ogur i mirë për një sezon të suksesshëm. Por bumi turistik pritet të nisë pas datës 20 korrik atëherë kur shqiptarët e diasporës kanë planifikuar pushimet në atdhe.
“Duke qenë se ky sezon filloi mbarë dhe pritshmëritë ishin më të larta. Në gjysmën e parë të muajit korrik jemi poshtë pritshmërive. Shumë hotele, duke qenë se kërkesa ka qenë më e ulët kanë bërë oferta më të lira, diku tek 10% më lirë sesa një vit më parë. Shqiptarët e diasporës dhe shqiptarët e Kosovës kanë filluar të rezervojnë pas datës 20 korrik”,– thotë për “DurrësLajm” Blerim Norja, administrator i një hoteli të njohur në zonën e plazhit.
Në Durrës oferta turistike vijon të mbetet e njëjtë me atë të një viti më parë, por nëse për vendasit pushimet në atdhe janë të shtrenjta, krejt e kundërta ndodh me të huajt, që e konsiderojnë Shqipërinë një vend të lirë.
“Shumë mirë është, ne gatuajmë në shtëpi. Çmimet njësoj siç janë në Korçë janë edhe këtu. Ushqimet i kemi marrë me vete nga Korça. Nëse do hanim në restorant do na shkonte shumë shtrenjtë”.
“Këtë vit është më pastër dhe më bukur. Çmimet janë më shtrenjtë. Vjet kemi paguar 30 euro dhomën, këtë vit është 50 euro. Çadra është 10 euro, në Ulqin është 5 euro, prandaj shumë ikin atje për plazh”,– na thotë një shtetas nga Kosova, që çdo verë frekuenton plazhin e Durrësit.
“Do të qëndrojmë 8 ditë. Kemi ardhur nga Danimarka. Këtu tek ju është shumë nxehtë, por na pëlqen shumë. Do të vizitojmë edhe Tiranën dhe Vlorën. Çmimet këtu janë shumë më të lira se në Danimarkë”.
“Një vit më parë kam pushuar tek Gjiri i Lalzit, këtë vit kam ardhur këtu. Plazhi më pëlqen shumë, është i përshtatshëm për fëmijët. Me çmimet jemi shumë të kënaqur, janë më lirë se në Rumani. Do të vi sërish vitin tjetër”.
Këtë të hënë të 13 korrikut, vija bregdetare e Durrësit është e mbushur me pushues vendas dhe të huaj. Për shkak të bregdetit ranor dhe të cekët, plazhi i qytetit bregdetar mbetet ndër destinacionet më të preferuara për familjet me fëmijë të vegjël.
Javët në vijim të korrikut dhe muaji gusht pritet të regjistrojnë fluksin më të lartë turistik në kryeqendrën e turizmit shqiptar.
M.B.





