Elisabeta Mataj, e cila u shkarkua pak ditë më parë nga posti i drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, shefja e financës Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana janë arrestuar nga policia pas denoncimit dhe hetimeve që nisën për abuzim në miliona lekë me fondet e institucionit.

Policia bën me dije se ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Policia thekson se nga hetimet, dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj, këta shtetase kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj (mbi 700 mijë euro), e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Policia thekson se hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Kujtojmë që hetimi nisi pas denoncimit të bërë nga vetë Posta Shqiptare, e cila pas një kontrolli, konstatoi parregullsi.

Njoftimi i policise: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Filiali”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Nuk arkëtuan në arkën e degëve Shijak dhe Krujë, shumën 69 milionë lekë të rinj, të destinuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale, vihen në pranga drejtoresha, shefja e financës dhe arkëtarja e filialit të Postës Shqiptare, Durrës.

Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar “Filiali”.

Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset:

-E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;

-V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës;

-P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.

Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.