Kroçera luksoze “Seven Seas Splendor” ka prekur për herë të parë portin e Durrësit

Anija turistike, e cila është pjesë e kompanisë Regent Seven Seas Cruises, ka mbërritur në portin më të madh në vend mëngjesin e kësaj të enjteje, me rreth 650 pasagjerë në bord.

Kompania Regent Seven Seas e ka përfshirë prej vitesh Durrësin në itineraret e saj turistike, ndërsa këtë sezon risia lidhet me imbarkimin nga porti të 80 pasagjerëve nga vende të ndryshme dhe njëkohësisht zbarkimin e 80 të tjerëve.

Me rastin e vizitës së parë të anijes në Durrës, në bord u zhvillua ceremonia tradicionale “Maiden Call”, ku morën pjesë Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu, dhe Kapiteni i Portit, Tauland Allka.

Përfaqësuesit e kompanisë kanë vlerësuar kushtet dhe facilitetet e ofruara në port për pritjen dhe përpunimin e turistëve. Burime portuale bëjnë të ditur se të gjithë pasagjerët që ndodheshin në bordin e kroçerës luksoze kanë vizituar Durrësin duke u ndalur në disa nga pikat më atraktive të qytetit dhe zonën historike.

Kroçera, e cila mbërriti në Durrës nga porti italian i Mesinës, do të udhëtojë sot në darkë drejt portit të Zadarit në Kroaci.