Një defekt i rëndë në tubacionin kryesor DN 700 mm, që furnizon me ujë të pijshëm qytetin e Durrësit dhe zonat përreth, ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit në disa lagje dhe fshatra.
Sipas njoftimit të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD), defekti është konstatuar në zonën e Sektorit Rinia, ku brigadat e avarive ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e tubacionit të çarë.
Si pasojë e avarisë, pa furnizim me ujë do të mbeten lagjet nr. 7, 8, 14, 15 dhe 17 të qytetit të Durrësit, si edhe fshatrat Shkallnur, Arapaj, Rrashbull dhe Xhafzotaj.
SHRUKD u kërkon mirëkuptim abonentëve, ndërsa bën të ditur se po ndërmerren të gjitha masat për riparimin sa më të shpejtë të defektit dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.





