Ditën e sotme u prezantua Administratori i ri i Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a., z. Migen Duka.

Ceremonia e prezantimit u zhvillua në mjediset e SHRUKD, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, z. Fludian Çuka, i cili prezantoi z. Duka përpara stafit të shoqërisë.

Z. Migen Duka është inxhinier hidroteknik dhe inxhinier ndërtimi, me një përvojë të konsoliduar në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

 Paralelisht me angazhimin profesional, ai ushtron edhe detyrën e pedagogut në Fakultetin e Inxhinierisë Civile në Tiranë. Gjatë vitit të fundit, ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Degës Teknike pranë Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a., duke kontribuar në ndjekjen dhe zbatimin e projekteve teknike të shoqërisë.

Me këtë emërim, z. Migen Duka merr detyrën e Administratorit të SHRUKD, duke pasuar z. Olsen Kavalli, i cili drejtoi shoqërinë që nga viti i kaluar.

Gjatë prezantimit u vlerësua puna dhe kontributi i deritanishëm i z. Kavalli në drejtimin e shoqërisë, ndërsa Administratorit të ri iu urua suksese në përmbushjen e detyrës, me fokus vijimin e investimeve, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rritjen e performancës së Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës sh.a.