Për 3 ditë me radhë në datat, në datat 20 –22 gusht shëtitorja “Taulantia” në Durrës do të kthehet në qendër të gastronomisë dhe kulturës lokale, me organizimin e “Tavernës së Adriatikut”, një panair i dedikuar vlerave dhe produkteve tipike të Durrësit dhe zonave turistike përreth.

Përgjatë tri ditëve, vizitorët do të kenë mundësinë të njohin nga afër produktet tipike të zonës, shijet tradicionale dhe prodhimet lokale, ndërkohë një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet artizanëve të qytetit, të cilët do të prezantojnë punime të frymëzuara nga tradita dhe kultura e Durrësit dhe e gjithë vendit.

Atmosfera e panairit do të pasurohet edhe me program artistik, me pjesëmarrjen e këngëtarëve të mirënjohur, si dhe të artistëve dhe talenteve të rinj të qytetit.

“Taverna e Adriatikut” vjen si një festë e shijeve, traditës, artizanatit dhe kulturës lokale, duke sjellë në shëtitoren “Taulantia” një tjetër dimension të bukurisë dhe mikpritjes së Durrësit.

Hapja zyrtare është të enjten më 20 gusht, ora 18:00.