Gjykata e Lartë ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Komisioni për Çështjet Ligjore ka zhvilluar procedurën parlamentare për projektligjin që prek pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve

Në një deklaratë, Gjykata e cilëson procesin si shpërfillje të konsultimit institucional dhe kërkon që projektligji të mos kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit.

Gjykata e Lartë shprehet se përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë përpara për t’u paraqitur në Komisionin për Çështjet Ligjore, por pavarësisht afatit të shkurtër kanë marrë pjesë në konsultim.

Sipas Gjykatës së Lartë, përfaqësuesve të gjyqësorit nuk iu vunë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin projektligjin, ndërsa mungoi edhe informacioni i plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë.

Gjykata argumenton se konsultimi institucional nuk mund të jetë thjesht formal dhe se qëndrimet e paraqitura duhet të shqyrtohen realisht përpara se një projektligj të dërgohet për votim.

Në qendër të kundërshtimeve janë çështje që lidhen me pagën referuese të magjistratëve, koeficientin 0,38 të pagës së Presidentit të Republikës, pagat e prapambetura, hierarkinë e pagave brenda sistemit gjyqësor dhe zbatimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e Lartë thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk respektohen vetëm duke iu referuar numrit të tyre, por duke zbatuar përmbajtjen dhe arsyetimin kushtetues që ato përcaktojnë.

Në deklaratë, Gjykata ngre gjithashtu shqetësime për ndryshimet e reja të bëra në projektligj, duke argumentuar se ato e vendosin gjyqësorin në një pozitë më të pafavorshme. Sipas saj, mungesa e transparencës dhe e konsultimit real krijon pikëpyetje që duhet të sqarohen nga Komisioni.

Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të mos e kalojë projektligjin në formën aktuale dhe kërkon që, përpara çdo procedure të mëtejshme, të ndërmerren disa hapa.

Kuvendi duhet të sqarojë rregullsinë, kohën dhe mënyrën e depozitimit dhe shqyrtimit të amendamenteve, si dhe arsyen pse ato nuk iu bënë të njohura gjyqësorit gjatë konsultimit.

Gjithashtu, Gjykata kërkon publikimin e mendimit të Këshillit të Ministrave mbi efektet financiare të projektligjit, verifikimin e procedurave dhe afateve parlamentare, si dhe mundësinë reale për gjyqësorin që të shprehet mbi variantin e fundit të projektligjit.

Në fund, kërkohet që projektligji të rivlerësohet në tërësi në raport me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimet e paraqitura nga gjyqësori.

“Gjyqësori ka folur. Gjykata Kushtetuese ka vendosur. Tashmë përgjegjësia është e Kuvendit”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë.

Gjykata thekson se nuk kërkon epërsi ndaj Kuvendit, por as nënshtrim ndaj tij, duke nënvizuar se ndarja e pushteteve përcakton kompetenca, kufij dhe kontroll kushtetues.