Kërkesa e Partisë Demokratike për të hequr nga rendi i ditës projektligjin e Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve është rrëzuar me 36 vota pro dhe 79 kundër. PD kërkoi që projektligji të mos votohej sot që të vijojnë konsultimet me institucionet e drejtësisë dhe të mos shkelej Kushtetuta.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, para se të rrëzohej kërkesa, e cilësoi hipokrite kërkesën e PD-së. Balla tha se është lajm pozitiv që opozita del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke iu referuar sulmeve dhe akuzave të saj të mëparshme ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Më vjen mirë të dëgjoj se PD del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është lajm tejet pozitiv se tregon një reflektim nga ato sharjet kërcënimet e fyerjet që kemi dëgjuar. Sot ligji do të diskutohet. Shkoni shpesh te dera e Prokurorisë së Posaçme, i kujtoni emrat e familjarëve, i kërcënoni.
Vota jonë ndaj kërkesës së PD është kundër sepse kërkesa është hipokrite. Na u tha se jemi vonuar, dhe tani po na thoni ta shtyjmë. E votojmë sot dhe i bëj thirrje Presidentit, besoj kemi dakordësinë, për të hyrë në fuqi menjëherë.”, tha ai.





