Një aksion i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit i ndërmarrë mbrëmjen e së enjtes në plazhin e Shkëmbit tw Kavajës për shembjen e një ndërtimi pa leje tek kompleksi Kamelia ka lënë pas gjendjen që shihni në videon e mëposhtme.

Prishja e ndërtimit, që sipas burimeve zyrtare shtrihej në një sipërfaqe prej 1000 metra katrorë, ka krijuar në breg të detit pirgje të mëdha me inerte.

Banorët e pallatit, të cilët kanë dërguar në redaksinë e “DurrësLajm” video nga momentet e ndërhyrjes së fadromave të IKMT-së si dhe situatën aktuale në zonën rreth e qark pallatit, shprehen se është e pakuptimtë një aksion i tillë në një kohë, kur zona bregdetare është plot me pushues dhe turistë.

“U tromaksëm mbrëmë gjatë kohës së ndërhyrjes së mjeteve të rënda. Deri pas orës 12 të natës nuk na zinte gjumi prej zhurmave. Kemi ardhur të bëjmë disa ditë plazh, por shihni si është gjendja para pallatit tonë. Shkatërrim kudo, sikur ka plasur bomba. A është normale kjo në mes të sezonit!!!! Skandalozeeeee”,- shkruajnë banorët.

Përreth zonës ku është kryer aksioni i IKMT-së është vendosur shiriti i sigurisë, ndërsa zyrtarisht mësojmë se përgjatë gjithë ditës së sotme, punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Plazh kanë ndërhyrë për të larguar grumbujt e mëdha me inerte, por sasia e madhe e tyre e ka bërë të pamundur pastrimin e komplet zonës.

Nesër është fundjavë dhe pritet që plazhi i Shkëmbit të Kavajës të popullohet nga mijëra pushues vendas dhe të huaj, të cilët përveçse do të relaksohen me ato që ofron në këto ditë të nxehta vija bregdetare e Durrësit, do të ndeshen edhe me pirgjet e stërmëdha me inerte shumë pranë vendit që kanë zgjedhur të pushojnë.

Ky nuk është i pari aksion që IKMT zhvillon në kohën kur sezoni turistik ka nisur duke shkaktuar tek pushuesit irritim dhe stres të panevojshëm.  

M.B.