Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar pas lajmit të publikuar në media që bënte fjalë për një anije me flamur rus që po përpunohet në Porto Romano.

Sipas sqarimit që bën MIE, anija për transportin e mallrave të përgjithshme, me emrin “Neptun” me IMO 9358010 me flamur rus, por e marrë me qira nga një kompani nga Britania e Madhe në datën 27.02.2022 është futur në ujërat e Republikës së Shqipërisë dhe ka qëndruar në radën e Portit të Durrësit.

Por nga verifikimi i dokumentacionit të anijes, nga ana kapitenerisë së Portit Durrës, ka rezultuar se mjeti lundrues ka pasur mungesa në dokumentacion, konkretisht: certifikatën e sigurimit për përgjegjësinë ndaj ndotjes së detit BLU CARD në zbatim të konventës CLC (Civil Liability Convention) dhe certifikatën e sigurimit në rast mbytjes në zbatim të konventës Wreck Removal.

Për këtë arsye, ministria tha se anija është urdhëruar të dalë jashtë ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe pasi ka plotësuar mungesat e dokumentacionit, u lejua më 13 mars të shkarkojë pajisjet e shpimit për kompaninë SHELL në Portin MBM në Porto Romano.

NJOFTIMI I PLOTË

Lidhur me lajmin e publikuar sot në media për një anije me flamur rus që po përpunohet në Porto Romano,  Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se:

Anija për transportin e  mallrave të përgjithshme, me emrin “Neptun” me IMO 9358010 me flamur rus, por e marrë me qira (chartered) nga një kompani nga Britania e Madhe në datën 27.02.2022 është futur në ujërat e Republikës së Shqipërisë dhe ka qëndruar në radën e Portit të Durrësit.

Nga verifikimi i dokumentacionit të anijes, nga ana kapitenerisë së Portit Durrës, ka rezultuar se mjeti lundrues ka pasur mungesa në dokumentacion dhe konkretisht:

-Certifikatën e sigurimit për përgjegjësinë ndaj ndotjes së detit BLU CARD në zbatim të konventës CLC (Civil Liability Convention) dhe

-Certifikatën e sigurimit në rast mbytjes në zbatim të konventës Wreck Removal.

Për këtë arsye është urdhëruar të dalë jashtë ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë.

Pasi mjeti lundrues ka plotësuar mungesat në dokumentacion dhe pasi është kryer verifikimi me listën e personave të ndaluar nga BE, për sanksionet e sjellë nga Ministria e Jashtme, mjeti lundrues i mësipërm në datën 13.03.2022 është lejuar të shkarkojë pajisjet e shpimit për kompaninë SHELL në Portin MBM në Porto Romano.