Gjykata e Lartë ka rikthyer në burg përjetë Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009.

Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, pasi Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

Vendimi:

Prishjen e vendimit nr.13, date 08.02.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe lënien në fuqi të vendimit nr.95, datë 23.07.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Ulja e dënimit

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar dhe më 9 shkurt 2019 dënoi në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.

Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.

Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, gjykohej në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie.

Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.