Policia Bashkiake Durrës ka një apel për të gjitha familjet që kanë zgjedhur vijën bregdetare të qytetit tonë për të pushuar. Nisur nga numri i madh i rasteve ditore për fëmijë të vegjël që humbin në plazhe, Policia Bashkiake u bën thirrje prindërve që “të mos humbasin kohë, nga momenti që konstatojnë humbjen e fëmijës, pasi kjo e bën më të vështirë gjetjen e tyre.”

Njëkohësisht kjo polici i fton pushuesit që “të marrin kontakt me patrullat tona në terren ose te telefonojnë ne numrin tonë të telefonit +052232250.”

“Krahas përditshmërisë së punës tonë në kontroll të territorit të Bashkisë Durrës, një nga detyrat tona të rëndësishme është gjetja e fëmijëve, të cilët largohen nga vëmendja e prindërve.

Humbja e fëmijëve në plazhet e mbushura me pushues është një nga problemet më shqetësuese të këtij sezoni.

Çdo ditë raportohen pranë shërbimeve tona 6-8 raste personash të humbur, kryesisht fëmijë, përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Pavarësisht masave të marra për rritjen e sigurisë për pushuesit, shërbimet tona apelojnë për më shumë kujdes nga prindërit. Përveç kujdesit që duhet të tregojnë prindërit apo shoqëruesit e fëmijëve në plazhe, për të mos i humbur ata nga sytë, duhet dhe t’i edukojnë në rast se ndodh shkëputja, që të mos përfshihen nga paniku, por të kërkojnë ndihmë. E gjithë vija bregdetare nga ura Dajlanit deri tek Përroi Agait mbulohet me sherbimet tona 24/7.

Një tjetër këshillë për prindërit është të mos humbasin kohë, nga momenti që konstatojnë humbjen e fëmijës, pasi kjo e bën më të vështirë gjetjen e tyre.

Për cdo rast qytetarët të marrin kontakt me patrullat tona në terren ose te telefonojnë ne numrin tonë të telefonit +052232250″,– shkruan Policia Bashkiake në një postim në rrjete sociale.