Konflikti i krijuar dy ditë më parë në ambientet e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” mes drejtoreshës së këtij institucioni arsimor Adriana Gjepali dhe Policisë Bashkiake Durrës lidhur me marrjen në dorëzim të çelësave të sallës “Black box” është zgjidhur sot.

Përmes një shkrese zyrtare, institucioni i bashkisë ka kërkuar që deri në orën 12.00 të kësaj të premteje të dorëzoheshin çelësat, pasi salla ku zhvillohen një mori aktivitetesh artistiko-kulturore dhe jo vetëm do të menaxhohet nga bashkia për periudhën në vijim.

Pasditen e së mërkurës, ashtu siç e pasqyroi edhe “DurrësLajm”, efektivë të kësaj policie u paraqitën pranë institucionit arsimor në kohën kur në të ndodhej vetëm roja e objektit dhe kërkuan marrjen në dorëzim të çelësave, në të kundërt do të ndërronin bravën.

E ndodhur në këto kushte, drejtoresha refuzoi dorëzimin e tyre, pasi kërkoi një shkresë zyrtare nga institucioni i bashkisë.

Sipas bashkisë, salla “Black Box” do të merret në menaxhohet nga bashkia me efekt ruajtje dhe mirëmbajtjeje.

Salla në fjalë ndodhet në oborrin e shkollës “Jan Kukuzelli” dhe kjo është e hera e parë, që një veprim i tillë kryhet nga ana e institucionit të bashkisë, pasi që nga koha kur institucioni arsimor u rikonstruktua çelësat e sallës “Black Box”, ku zhvillohen të gjitha aktivitetet artistike të shkollës, përgatitjet për koncertet, provat e Orkestrës së Harqeve, por edhe shumë aktivitete të tjera nga palë të treta janë mbajtur gjithnjë nga drejtoria e shkollës.

M.B.