Blerta Zogu është një nga studentet ekselente të UAMD-së. Vajzës nga Durrësi, e diplomuar në fakultetin e Biznesit, i është dashur gjatë këtyre 3 viteve të reduktojë ndjeshëm jetën sociale, për t’ju përkushtuar studimeve.

Por sot, pas rezultateve të arritura, ajo nuk e ka peng këtë gjë. Synimet i kishte të qarta që në fillim; të kërkonte sa më shumë nga vetja e të renditej ndër më të mirët.

“E kisha sfidë me veten time, sepse ju riktheva studimeve pas shumë kohësh dhe doja ta vija veten në provë. Leximi dhe studimi është investimi më i madh që kushdo mund të bëjë tek vetja e vet”,- thotë ajo për “DurrësLajm”.

Nuk kanë qenë të pakta netët e kaluara pa gjumë për të realizuar në kohë objektivat që i kishte vënë vetes, por rezultati i arritur e ka justifikuar lodhjen dhe pagjumësinë.

“Nuk kam dalë shumë shpesh për kafe, nuk kam bërë shumë pushime. Preferoja të lexoja materialet e dhëna nga pedagogët, por edhe shumë të tjera që gjeja në internet. Rezultatet shumë të mira më mundësuan fitimin e bursës, përjashtimin nga taksat e universitetit etj. Pavarësisht lodhjes, të qënit ekselente ka benefitet e veta.“,- thotë Blerta.

Angazhimi i saj në degën Digjital marketing i ka mundësuar punësimin online, çka e ka ndihmuar të mos anashkojë praninë në leksione dhe aktivitete të ndryshme të organizuara nga UAMD. Më i fundit ku do ta shohim të angazhuar është Akademia e Aktivizmit Rinor për Mirëqeverisje. Mes aktiviteteve nuk mungojnë dhe fushatat e bamirësisë, ku ajo është përfshirë disa herë, angazhim ky që i fal një kënaqësi të veçantë.

Në një kohë kur shumë të rinj tentojnë vitet e fundit largimin nga vendi për të ndërtuar një jetë jashtë shtetit, Blerta është shembulli i atyre që janë rikthyer.   

Pas 10 viteve të kaluara në Itali, ajo erdhi për të kontribuuar në Shqipëri.

“Unë kam qenë 10 vite larg, e vetme në Bolonja. Eshtë një eksperiencë që më bëri mirë, por e ndjeva thirrjen e brendshme për t’u kthyer dhe për të dhënë diçka për vendin tim. Shqipëria është shumë e bukur.“,- thotë ajo me sytë që i shprehin entuziazëm.

Përballimi i shpenzimeve të studimeve të larta është shqetësim për shumë studentë. Por Blerta ka një sugjerim në këtë pjesë. Ndërsa thotë me shaka se leku të shijon, ajo njëkohësisht i jep shumë rëndësi formimit profesional. Prandaj sipas Blertës, duhet gjetur një ekuilibër mes të dyjave.

Megjithëse nuk e mohon dëshirën për të ndjekur ndonjë trajnim apo specializim jashtë vendit, Blerta Zogu të ardhmen e sheh të projektuar në Shqipëri.

Intervistën e plotë me studenten ekselente të Fakultetit të Biznesit në UAMD, Blerta Zogu, e ndiqni të plotë në videon e mëposhtme.

M.B.