Këtë të enjte, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, u çel Konferenca XII Ndërkombëtare “Politika Ekonomike dhe Integrimi në BE”, organizuar nga Fakulteti i Biznesit.

Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski u shpreh se qëllimi i kësaj konference është që përmes prezantimeve dhe diskutimeve të rrahim çështje sa më aktuale të politikave ekonomike dhe integrimit, zhvillimin e tregjeve të punës, sektorin financiar dhe bankar për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe rritjen e konkurrencës përmes inovacionit.

“Duke pasur parasysh qasjen ndërdisiplinore të konferencës, jam e prirur të besoj që do të kemi mjaft propozime dhe rekomandime konkrete për politikëbërësit dhe komunitetin e biznesit në Durrës, Shqipëri dhe më gjerë. … Dëshiroj të përgëzoj drejtuesit e Fakultetit të Biznesit, për rritjen e tyre të vazhdueshme, forcimin e kapaciteteve dhe rrjetëzimin, duke e kthyer këtë auditor, këtë Fakultet, këtë universitet, në një mjedis ku gjallojnë diskutimet e kontributet shkencore”, tha Sotirofski.