Vitet e fundit ka nisur të rritet numri i fëmijëve të vegjël, të cilët shfaqin vështirësi në të nxënë gjatë frekuentimit të ciklit parashkollor dhe klasës së parë. 3 janë çrregullimet neurozhvillimore që prekin vogëlushët dhe ato janë disleksia (vështirësia e të mësuarit të leximit dhe shkrimit), disgrafia (vështirësia e të mësuarit të shprehjes me shkrim) dhe diskalkulia (vështirësia e të mësuarit dhe kryerjes së veprimeve matematikore).
“Vë re që vitet e fundit, numri i fëmijëve që shfaqin vështirësi përsa i përket leximit, shkrimit dhe përllogaritjeve matematikore është në rritje. Fëmija lind me një çrregullim të tillë dhe shkaqet mund të jenë të shumta dhe të ndryshme. Por këto çrregullime evidentohen në moshën parashkollore ose gjatë klasës së parë, për faktin se në këtë moment fëmija përballet me detyrat akademike, që kërkojnë një lloj analize të caktuar për të vënë re nëse fëmija realisht ka një çrregullim në të nxënë”,- thotë për “DurrësLajm”, Bruna Abdyli, psikologe shkollore dhe zhvillimi.
Një vogëlush mund të shfaqë vetëm njërin nga këto çrregullime, por edhe më shumë se një. Fëmijët që lindin me këto vështirësi në të nxënë dallojnë nga bashkëmoshatarët e tyre vetëm përsa i përket përmbushjes së detyrave shkollore.
“Individët që shfaqin çrregullim në të nxënë janë inteligjentë, kanë një nivel të caktuar konjitiv dhe vështirësitë në të nxënë i ndikojnë atyre vetëm në aspektin akademik. Këto vështirësi në të nxënë nuk u ndikojnë fëmijëve në realizimin e aktiviteteve të tjera të përditshmërisë së tyre”.
Për shkak të performancës së dobët që këta fëmijë shfaqin gjatë orëve të mësimit, ata shpesh bien pre e fenomenit të bullizmit, apo etiketimeve aspak të përshtatshme në ambientet shkollore dhe jo vetëm.
“Ndodh shpesh që këta fëmijë etiketohen si fëmijë dembelë, indiferentë, fëmijë që nuk shfaqin interes për të zhvilluar aftësitë e tyre akdemike.”
Pas konstatimit të këtyre çrregullimeve neurozhvillimore, trajtimi i tyre nga specialistët e fushës përmes terapive individuale përmirëson aftësitë e tyre të mëvonshme në jetesën si individë të rritur. Prandaj është e domosdoshme, që prindërit t’i drejtohen sa më parë specialistëve të zhvillimit.
“Nëse prinderit nuk i trajtojnë fëmijët tek specialisti, sigurisht që ndikon së pari në vështirësi që fëmijët hasin më pas gjatë jetës së tyre. Në momentin që fëmija do të ketë shumë vështirësi në të lexuar do të ketë të vështirë të marrë informacion. Nëse fëmija do të ketë vështirësi që i përkasin diskalkulisë atëherë do ta ketë shumë të vështirë për të bërë përllogaritje matematikore dhe kjo më pas si i rritur do t’i ndikojë në jetën e tij të përditshme”.
Për t’i evidentuar që në fazë të hershme këto çrregullime në të nxënë është i domosdoshëm një bashkëpunim sa më efikas mes prindërve, edukatorëve, mësuesve dhe psikologëve.
M.B.