Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak Durrës u shoqërua me debate dhe replika mes këshilltarëve të maxhorancës dhe opozitës për 3 nga pikat e rendit të ditës.

Përfshirja e një pike shtesë në rendin e ditës vetëm pak para nisjes së mbledhjes shkaktoi debatet e para dhe me pas tërheqjen e anëtarëve të 3 komisioneve të KB, për t’u njohur më në detaje me pikën nr.4, që kishte të bënte me miratimin e vlerës së shpronësimit për pasuritë e paluajtshme që preken nga projekti TID Durrës. Bëhet fjalë për 9 njësi tregtare, të cilave u ndryshon vlera e dëmshpërblimit, krahasuar me vlerën e miratuar pak muaj më parë.

Kjo pikë u miratua me 27 votat pro të maxhorancës, ndërsa opozita votoi kundër.

Pikë tjetër që ngjalli diskutime ishte ajo për miratimin e fondeve të trashëguara nga viti i kaluar. Opozita ngriti pretendimin se këto fonde nuk janë përdorur për t’i ofruar shërbime qytetarëve, ndërsa bashkia, përmes nënkryetarit Gentian Kallmi shpjegoi se paratë do të shkojnë për kontratat që janë në zbatim e sipër.

Ishte pika nr.3, që lidhej me ndryshimin e disa kompetencave të qendrës “Fuqizojmë komunitetin”, e cila tashmë do të marrë 12 milionë lekë të reja fonde nga programi social i bashkisë Durrës për vitet 2025-2027 , që ngjalli debate me tona të larta mes anëtarëve të KB-së.

Këshilltarja Eda Harizi tha se propozimi i bashkisë lë vend për aludime, ndërkohë që drejtoresha e Shërbimit Social Meme Xhaferaj dha shpjegimet përkatëse lidhur me pretendimet e opozitës.

E vetmja pikë e rendit të ditës që u votua unanimisht ishte ajo që lidhej me fondin e ndihmës ekonomike për muajin qershor.

M.B.