28 prill 2015 – Cila është e shkuara e Grida Dumës? Që pas deklaratave të ambasadorit Lu për persona me të kaluar të dyshimtë që kandidojnë në këto zgjedhje, mes dy forcave kryesore politike ka plasur lufta se kush ka më shumë të inkriminuar në gjirin e saj. Dhe meqë beteja kryesore zhvillohet në Durrës, socialistët kanë nisur të sulmojnë prej andej. Koordinatorja e PD-së për marrëdhëniet me publikun Grida Duma është shpallur në krye të një liste të dyshimtësh të përbërë nga 9 persona.

Deputeti Taulant Balla deklaroi të hënën se në listat e PD-së për zgjedhjet vendore ka kandidatë me rekorde kriminale dhe një ndër to është edhe Grida Duma. Balla tha se e djathta ka zgjedhur të vendosë në garën për bashkitë, plot 9 kandidatë me precedentë penalë. Gazeta “Shekulli” i referohej sot burimeve brenda PS-ë, se, personat e tjerë, të cilët kanë të kaluar kriminale janë: Qamil Boja, kandidat për bashkinë e Cërrikut, Zef Hila, kandidat për bashkinë e Vaut të Dejës, Ilir Krosi për bashkinë e Dibrës, Bajazit Karriqi për bashkinë e Prrenjasin, Gjergji Mero, kandidat për bashkinë e Korçës dhe Fran Frrokaj, kandidat për bashkinë e Lezhës.

Megjithëatë vëmendja duket se është e përqëndruar tek Duma. Përfshirja e saj në këtë listë ka të bëjë me kallëzimin që është bërë ndaj saj në prokurorinë e Tiranës për akuzën e “vjedhjes me anë të mashtrimit”. Kallëzimi është kryer nga shtetasi Albert Pali, i cili akuzoi Grida Dumën (Shqima) dhe Roland Rexhon, (të cilët kanë pasur në bashkëpronësi kompaninë ndërtimore “Kristian Konstruksion”) se nuk i njohin të drejtën e pronës. Akuza ndaj saj ka pasur edhe për shitjen dy herë të aratamenteve të këtij ndërtimi si dhe për moskthimin e një kredie 140 mijë euro, e cila e ka detyruar Gridën të paguajë pranë përmbarimit rreth 80 përqind të të gjithë pagës së saj që prej vitit 2013. Ajo është detyruar të nxjerr gjithashtu në shitje një apartament 118 metra katrorë në rrugën Nikolla Tupe në Tiranë.

Por ndonëse ish ortaku i Gridës është dënuar me vendim gjykate, për Dumën nuk ka asnjë vendim të tillë, ndaj dhe akuzat ndaj saj mund të kenë karakter moral, por ato nuk e bëjnë atë pre të procesit të dekriminalizimit. Si të tilla ato ngjajnë të jenë më shumë politike, sesa një shqetësim real.

Gjithësesi në reagimin e saj, Duma nuk i është referuar këtyre akuzave. Ajo është mjaftuar duke e quajtur Taulant Ballën një shpifës me pagesë:

“Kryeministri nxori një ‘sharës me pagesë’ dhe publikoi një listë me akademikë që garojnë nën siglën e Partisë Demokratike.Nga një mazhorancë që e ka ngritur krimin në Akademi mund ta presësh këtë. Lista, ku bënte pjesë edhe emri im, është një sajesë e trashë që buron nga paniku i humbjes së afërme. E shoh si kamerdare të shpuar turpi, që i hidhet që nga Tirana të Turpëruarit të Vogël këtu në Durrës. Nuk e shpëton dot nga fundosja. Kam kuptuar një gjë këto ditë me qytetarët e Durrësit e rrethinave: Durrsakët i kanë pritur me padurim këto zgjedhje për të larguar Vangjush Dakon”

ka reaguar Grida e cila deri më tani nuk ka thënë asnjë fjalë për lejet e dyshimta të ndërtimit të dhëna nga rivali i saj.

(Lapsi.al)