Keqmenaxhimi i mbetjeve urbane është një fenomen i kudo konstatuar nëpër lagjet e Durrësit dhe zonat periferike. Por javët e fundit në redaksinë tonë kanë nisur të shtohen denoncimet e qytetarëve për të tjerë banorë që nuk respektojnë rregullat e bashkëjetesës në komunitet dhe kontribuojnë në ndotjen e mëtejshme të mjedisit.

Rasti më i fundit është video e dërguar në redaksi nga një banor i pallatit nr.523, në lagjen nr.6 të qytetit bregdetar.

Në pamjet filmike dallohen qartë pirgjet me mbeturina dhe inerte të hedhura anash pallatit, shumë pranë hyrjes kryesore të tij.

Sipas banorit, pjesa më e madhe e mbetjeve i përkasin riparimeve që kanë bërë vetë banorët, kur rregulluan shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, një vit më parë.

Këtyre u shtohen edhe mbeturina urbane, që hidhen në mënyrë të pakujdesshme nga vetë banorët, apo që i sjell era dhe depozitohen aty.

Nuk po dimë ku të kalojmë me fëmijët. Kanë një vit inertet këtu”,– thotë banori, i cili thekson se të vegjlit nuk mund t’i lënë në oborrin e pallatit, sepse ambienti përreth është shumë i ndotur.

Pak ditë më parë, një tjetër qytetar, në lagjen nr.4, denoncoi përmes pamjeve filmike heqjen e mbeturinave urbane të hedhura nga banorët e tjerë të pallatit. Papërgjegjshmërinë e treguar nga disa anëtarë të komunitetit e paguajnë qytetarë të tjerë, të cilët detyrohen të paguajnë punëtorë për të larguar inertet dhe mbetjet urbane nga ambientet e përbashkëta.