Në gjendje të mirë shëndetësore janë dy zjarrfikësit që janë përfshirë në një aksident rrugor në fshatin Draç të Ishmit, ndërsa po shkonin në ndihmë të kolegëve të tyre që luftojnë prej ditësh me flakët.

Ata janë vizituar në spital pak minuta më parë nga deputeti i zonës Jurgis Çyrbja, i cili konfirmon për “DurrësLajm” se janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po marrin të gjithë kujdesin e nevojshëm mjekësor për t’u rikuperuar sa më shpejt.

Efektivët kanë qenë në një mjet zjarrfikës në momentin kur janë përfshirë në aksident, pasi po përshkonin një zonë të pyllëzuar, pa infrastrukturën e nevojshme rrugore.

Në mjet kanë qenë 4 efektivë, por vetëm dy prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Prej ditësh, efektivët e zjarrfikëses së Durrësit janë në luftë me flakët, për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit që kanë përfshirë sipërfaqet pyjore në zonën e Ishmit.

Dy ditë më parë, zonën e inspektoi edhe kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, e cila deklaroi se situata më zjarret është nën kontroll, flakët janë minimizuar. por vatra është ende aktive.

M.B.