Nxënësit e ciklit të lartë të shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori” festuan Ditën e Tokës këtë 22 Prill duke organizuar një aksion pastrimi në Kepin e Rodonit, tek vendi i peshkatarëve.

Katër autobusë me 200 “luftëtarë të rinj” të lumenjve u ngjitën sot në kodrat e buta të Adriatikut dhe mblodhën e pastruan livadhin, përroin e bregun e detit.

Fëmijët me mësuesit në krye arritën që për 2 orë të mblidhnin 153 thasë, kryesisht plastikë e mbetje të tjera prej qelqi e miks urbane 1224 kg, të cilat u tërhoqën nga ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës.

Më pas aktiviteti vazhdoi me një pushim të merituar, duke ndërthurur argëtimin me njohjen e historisë dhe natyrës së mrekullueshme pranë Kepit të Rodonit.

Kënga, vallja, lojrat sportive, hareja e gëzimi shoqëruan e përmbyllën aktivitetin, i cili u mbështet nga “River-Cleanup Albania” dhe transporti i mbetjeve nga Drejtoria e Shërbimeve nga Bashkia e Durrësit.

Në fund të aktivitetit u shpall si “Luftëtari i Lumenjve” Orgesti, ai që sot ishte idhulli i të gjithëve atyre që e takuan për herë të parë, por edhe shokëve e mësuesve.

Ky djalë i klasës së gjashtë, djali i mozaikëve, i vetëm mblodhi 8 thasë duke e shpallur fituese klasën ku ai mëson.

Në foto: Orgesti me mësuesen e tij dhe një prej mozaikëve