30 prill 2015 – Kandidatja e PD-së për garën e Bashkinë së Durrësit, Grida Duma, në vijim të takimeve të saj me qytetarët durrsakë, pasditen e djeshme është ndalur në një prej bizneseve fason. Gjatë takimit që pati me gratë dhe vajzat e reja, Duma nuk kërkoi votën e tyre, por u tregoi se Durrësi ka një shans për të kthyer shpresën e për të pasur më shumë punë.

“Nuk do t’ju them më jepni votën mua sepse atë do e bëni si ta ndjeni vetë. Ajo që unë kam detyrë të them është që kemi një shans. E kemi bashkë këtë shansin sot të bëjmë dy gjëra të mëdha. Ta bëjmë Durrësin siç e meriton një qytet që të sjellë më shumë punë, për fëmijët dhe për vetë ne me një rrogë më dinjitoze. Dhe këtu falënderoj me mirënjohje biznesin që arrin të mbijetojë edhe në kushte të vështira”, u shpreh Duma.

Ndër të tjera, kandidatja demokrate tha në fjalën e saj se do të punojë për një projekt tjetër, që do të jetë më afër qytetarëve dhe biznesit, për ta bërë të nesërmen më të mirë.

“Jetoni në një qytet të mrekullueshëm. Realiteti i një qyteti me port. Realiteti i një qyteti me plazh. Realiteti i një turizmi që mban gjithë turizmin e Shqipërisë përfundon që të jetë më i varfër në përgjithësi se sa mesatarja e Shqipërisë. Kam ardhur me shpirt për ta marrë Bashkinë e Durrësit, për të pasur një model si ne, për të pasur një model me dashuri”, tha Duma.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/