Për herë të parë në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” u zhvillua një ankand nga fëmijët, qëllimi i të cilit ishte të shisnin pikturat e tyre dhe paratë e mbledhura t’i përdorin për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Disa prej njësive të cilat morën pjesë ishin Trupa 301 e GirlScouts Durrës, Aseli Art Studio; Qendra “Mankind Tracks”, Qendra e zhvillimit rezidencial Durrës dhe

Shoqata për Trashëgimi dhe Edukim, nën drejtimin e Prof. Asoc. Dr. Fjoralba Satka, Velisa Beqiri dhe Prof. Asoc. Dr. Marisa Kërbizi. Artistët e vegjël prezantuan disa piktura duke hapur më pas dhe ankandin.

Mbi 25 piktura të artistëve të vegjël durrsakë u shitën brenda pak minutave, vlera e të cilave varionte nga 1500 lekë të reja, deri në 7000 lekë të reja duke mbledhur një shumë të konsiderueshme të hollash.

“Të jem i sinqertë me ju, jam shumë i impresionuar nga një aftësi shumë e madhe organizimi. Mendoj që zyrën time do ta arredoj me një kryevepër si ajo që bleva.” – tha njëri nga blerësit.

Ndërsa organizatorja, profesoresha Marisa Kërbizi u shpreh mjaft e entuziamuar nga rezultati i ankandit.

“Kjo që ndodhi sot është krejtësisht e pabesueshme. E kemi tejkaluar qëllimin sakaq fëmijët janë të çuditur dhe ende nuk po e kuptojnë këtë që ndodhi.”

Për përfaqësuesen e shoqatave të fëmijëve me aftësi ndryshe, nisma e artistëve të vegjël vlen për t’u përgëzuar.

“Është një aktivitet shumë i bukur. Ne si organizatë jemi të fokusuar tek fëmijët të aftë ndryshe dhe u bëj thirrje të gjithë aktorëve të tjerë të shoqërisë civile që të organizojnë aktivitete të tilla. Këta fëmijë na sollën një buqetë punimesh të jashtëzakonshme dhe kjo u pa nga interesimi i të gjithëve.”

M.B.

VIDEO: