Fundjavën që lamë pas, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës zhvilloi edicionin e 34-rt të Festivalit “Tingujt e Adriatikut”.

Në festival morën pjesë 19 këngë konkuruese, të kompozuara nga emrat më të njohur të muzikës durrsake.

27 solistë, nga shkolla të ndryshme të qytetit konkuruan mes tyre për të përzgjedhur këngën më të mirë, e cila do të përfaqësojë Durrësin në Festivalin e Këngës për Fëmijë në Shkodër.

Një çmim special iu akordua tekstshkruesit, Bedri Rama, i cili është autori i këngës fituese “Dhurata” në festivalin e parë të fëmijëve të mbajtur në Durrës, 54-vite më parë.

Juria e festivalit nderoi me çmimin e parë këngën “Fjala”, të kënduar nga Viola Gjyzeli. Ndërsa dueti më i mirë u shpall Agona – Gera Katundsi, me këngën “Muzika” (listën me të gjitha këngët fituese e gjeni në fund të shkrimit).

Një pjesë e këngëve u shoqëruan nga 50 fëmijë të korit nga shkollat “Bedrie Bebeziqi”, “Neim Babameto” dhe “Mihal Ekonomi”.

Secila nga këngët pjesëmarrëse u shoqërua nga një kartolinë prezantimi, të përgatitur nga studentët e UAMD-së, të degës “Multimedia dhe TV digjital”.

Edicioni i 34-rt i festivalit “Tingujt e Adriatikut” do të shfaqet në RTSH në ditët e festave të fundvitit.