Në Durrës kanë nisur zgjedhjet për kreun e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në këtë konventë, ku ishin mbledhur anëtarët e Forumit Rinor të PD, në Durrës, ishte edhe deputeti Flamur Noka, i cili përcolli mesazhin e kryetarit Lulzim Basha drejtuar të rinjve demokratë durrsakë. Së bashku me deputetin Noka ishte edhe Osman Stafa, kreu i degës së PD në Durrës. Të bashkë, shoqëruar edhe nga kandidatët në garë Spartak Haçkovija, Helenida Sava dhe Artion Barjamaj, u ngjitën në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku mbajtën edhe fjalimet e rastit.

Deputeti Flamur Noka u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen për të rrëzuar qeverinë më të korruptuar që kanë patur shqiptarët në 25 vitet e fundit. “Sot jemi në një moment historik, në 25-vjetorin e përmbysjes së regjimit më mizor, – tha deputeti Noka. – Kemi në pushtet pinjollët e bllokut dhe të sistemit komunist. Korrupsioni dhe krimi po i marin frymën popullit. Këta kanë vrarë shpresën se ky vend mund të bëhet. Qeveria e Edi Ramës është një bandë që vjedh e terrorizon qytetarët nga mëngjesi në darkë dhe ata kanë vrarë shpresën tek populli e tek të rinjtë. Janë 100 mijë shqiptarë që kanë mësyrë dyert e Evropës në dy vitet e fundit dhe 200 mijë që kanë aplikuar për në SHBA.”

Në sallë fjalën e kanë marrë edhe tre kandidatët për kreun e Forumit Rinor të PD, në Durrës, të cilët u kërkuan mbështetje të rinjve në votim. Më pas nisi procesi i votimit, përmes parimit “një anëtar, një votë”.