Në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Durrës, është në gjykim çështja civile me nr. regjistri 932/2963, datë 17.12.2020 me kërkuese Dylbere Sulkja, person i tretë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës me objekt: “Shpalljen e personit të zhdukur, Bledar Sulkja. Vendosjen kujdestare të pasurive të tij, nënën e Bledarit, Dylbere Hamit Sulkja”.

Dylbere Sulkja, nëna e Bledar Sulkjas i drejtohet Gjykatës me një dhimbje të madhe në zemër, për të kërkuar shpalljen me vendim gjykate si person i zhdukur të djalit të saj, Bledar Sulkja.

Kjo familje ka bërë disa herë denoncim pranë policisë së rrethit Gjyqësor Durrës, në lidhje me zhdukjen e djalit të saj, Bledarit.

Bledari është larguar në drejtim të Italisë me Eksodin e famshëm të vitit 1991, për një jetë më të mirë. Në fillim ai ka kontaktuar rregullisht me familjen, madje në korrik të vitit 1999 ka ardhur në Shqipëri dhe ka ndenjur disa muaj, pra deri në tetor të po atij viti. Në muajin tetor të 1999 është nisur për në Itali me skaf dhe me një pasaportë kroate, me emrin Danjel. Në 2002 ka shkuar në Valencia të Spanjës pa dokumenta dhe ka punuar atje punë të tilla si vjelje frutash. Deri në gusht të 2002 i ka ruajtur kontaktet me familjen, kjo ka vazhduar deri më datën 25 gusht, që ka qenë hera e fundit që ai ka telefonuar prindërit e tij me numrin fiks të shtëpisë, pas kësaj date ai ka humbur të gjitha kontaktet me familjen e tij.

Pra prej 18 vitesh ai nuk është bërë më i gjallë dhe ka humbur kontaktet me familjen, shokët dhe të afërmit e tij që janë jashtë apo brënda Shqipërisë.

Para pak kohësh është ndarë nga jeta edhe bashkëshorti i Dylberes dhe babai i Bledarit, Shefki Sulkja (pa patur asnjë lajm nga djali). Ishte ai që ka bërë denoncimet dhe është marrë me këtë çështje.

I ndjeri Shefki Sulkja ka bërë disa herë denoncime në polici rreth kësaj ngjarje por gjithçka ka qenë e kotë sepse nuk ka marrë asnjë përgjigje positive në lidhje me zhdukjen e djalit të tij.

Edhe vëllai i tij Altini nuk i ka reshtur kërkimet individualisht për vëllain e tij në shtetin Italian dhe atë Spanjoll por pa asnjë rezultat konkret.

Sipas informacione të marra në rrugë jozyrtare, dyshohet se Bledari prej vitit 2002 mund të ndodhet në një burg në Cordova të Spanjës. Por atje ka vajtur personalisht vëllai i tij dhe në emrin Bledar Sulkja, nuk figuronte asnjë i burgosur, megjithatë familja dyshon se ai mund të jetë i regjistruar me emër tjetër.

Ata kanë kërkuar edhe në emisione televizive që janë bërë për personat e humbur ndër vite si: Njerëz të humbur, Pa gjurmë etj.

Familja Sulkja prej 18 vitesh nuk i ka humbur shpresat se Bledari jeton diku nëpër botë dhe se ai është në pamundësi për të kontaktuar me familjen.

Për arsye familjare dhe procedurale familja Sulkja kërkon që të bëjë shpalljen e personit të zhdukur me vendim gjykate, të Bledar Shefki Sulkjas, si dhe vendosjen si kujdestare të pasurisë të tij, nënën e Bledait, Dylbere Sulkjan.

Për këtë arsye ata i drejtohen gjykatës, e cila mund të përcaktojë një seancë gjyqësore dhe pasi të vërtetojë sa më sipër, të vendosë sipas objektit të kërkesës.

Me urdhër të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kërkesa botohet në portalin e lajmeve “DurrësLajm”.