I nisur në qershor të vitit të kaluar, riforcimi i kompleksit “Jedas” në Durrës ende nuk ka përfunduar.

Madje, volumi i punimeve të realizuara deri më tani duket shumë larg përfundimit.

Prej 3 vitesh, 300 familjet e këtij  kompleksi jetojnë me qira.

Për ta, zvarritja e punimeve është e patolerueshme, pasi presin një orë e më parë të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kërkojmë që të na rregullohen hyrjet, se kemi 3 vjet që na sorollasin“, thotë një prej banorëve.

“Edhe bashkia, edhe firma nuk japin një afat kohor. U bënë tre vjet që punimet ecin ngadalë e si përfundim e vuan gjithmonë familjari. Kur vijnë këtu thonë do përfundojë për vitin e ri, tani e kanë shtyrë prapë për në prill“, shprehet një tjetër.

Pavarësisht interesimit të vazhdueshëm në bashki, askush nuk di t’u japë një përgjigje konkrete për afatin e dorëzimit të objektit.

Madje, disa nga banorët denoncojnë faktin se punimet nuk po kryhen siç është parashikuar në projekt.

“Mos e shikoni kështu nga jashtë që fasada është e bukur, e përfunduar, sepse brenda nuk është prekur fare”, tregon ndër të tjera banorja.

Si 300 familjet e kompleksit “Jedas” janë me qindra familje të tjera në Durrës që janë në pritje të riforcimit të pallateve.

Deri tani, procesi i riforcimit ka përfunduar në 9 godina, 13 janë në proces, ndërsa në 55 godina të tjera pritet të nisë puna së shpejti.