Për 3 ditë, salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës gumëzhinte nga zërat e fëmijëve. Mbi 20 shkolla dhe rreth 800 nxënës të ciklit fillor dhe 9-vjeçar morën pjesë në edicionin e IX-të të Festivalit të Asambleve Popullore.

Mes morisë së këngëve, valleve dhe lojëra, por edhe kostumeve popullore, fëmijët shpalosën folklorin mjaft të pasur të vendit tonë.

“Ka qenë një pjesëmarrje aktive nga të gjitha shkollat 9-vjeçare të qytetit tonë me dëshirën e mirë për të bërë maksimumin dhe për të performuar më së miri vlerat e folklorit dhe trashëgimisë sonë kulturore që është një vlerë e shtuar e Durrësit”,– tha drejtoresha e ZVA-së, Amarilda Thërmija.

“Marrin pjesë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, të ndara në 3 nivele, sipas grupmoshave. Morën pjesë 27 shkolla, me 3 grupe fëmijësh dhe përgjatë këtyre ditëve kanë performuar rreth 800 nxënës”,– deklaroi për “DurrësLajm” drejtori i QKF-së, Avni Çuni.

Në përfundim të fazës finale, juria profesioniste e festivalit vlerësoi me çmime të para, të dyta, të treta dhe inkurajuese nxënësit dhe shkollat me performancën më të mirë në interpretimin e këngëve, valleve dhe lojërave popullore.

M.B.