Të shtunën, Durrësi ishte stacioni i mbi 500 motoristëve nga i gjithë rajoni. Shëtitorja “Taulantia” por edhe rrugët e qytetit u kthyen në paradë të qindra motorëve të markave më të fundit, të mbledhur në qytetin bregdetar në kuadër të festivalit të muzikës Rock “Moto Fest 2022”.

Për rreth 6 orë me radhë, shëtitorja bregdetare u pushtua nga grupet e motoristëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Sllovenia, Serbia etj, ndërsa tingujt e muzikës rock dhe zhurma e motorëve dëgjoheshin anekënd.

Koncerti në shëtitore u zhvillua në kuadër të 15-vjetorit të Steelwings MC Albania, dhe kjo ishte e para herë që një event i tillë mbahej në Durrës.

Shumë nga pjesëmarrësit kanë qenë anëtarë të grupit që në ditët e para të krijimit të tij.

Për ta, organizimi në Durrës i kësaj feste mbarë rajonale të motoristëve ishte perfekt.

Të qënit motorist është një stil jetese dhe kishte nga ata që ishin përshtatur deri në detaj për këtë event.

Një kënd i veçantë i ishte kushtuar edhe aksesorëve dhe veshjeve për motorë, ndërsa nuk mungonte kurioziteti i shumë qytetarëve të Durrësit për të parë nga afër motorët apo dhe shkrepur foto me ta.

Organizimi i një eventi të këtyre përmasave nuk është i thjeshtë dhe këtë më mirë se kushdo e di Andi Jovani, presidenti i Steelwings Durrës.

“Organizimi ishte i vështirë, por shpresoj se ia kemi arritur. Në këtë 15-vjetor është diçka që kulmon, sepse janë 15 vite që jemi më të pjekur, më të njohur në shumë vende të botës“, tregon ai ndër të tjera.

Në koncertin rock që kulmoi në orët e vona të së shtunës ishin ftuar shumë nga emrat e njohur të muzikës. Këngëtari Eugent Bushpepaj rrëfeu se asgjë nuk e dallonte eventin e organizuar në Durrës, nga të ngjashëm, ku ai ka marrë pjesë në Evropë.

Të quhesh motorist, nuk mjafton të kesh në pronësi një motor. Është shumë më tepër se kaq dhe këtë, kush tjetër mund të na e shpjegonte më mirë sesa Andi Demiraj, presidenti i përgjithshëm i Steelwings Shqipëri.

“Stili i jetesës është një stil i thjeshtë. Njerëzit gjatë gjithë javës punojnë dhe kanë nevojë që në fundjavë të mblidhen me njëri-tjetrin dhe të festojnë e gëzojnë“, thotë ai.

Në 15 vite ekzistencë të grupit Steelwings, disa janë larguar, të tjerë janë afruar. Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është që mbeten një familje e madhe, jo vetëm shqiptare, por ndërkombëtare.

Në orët e mbrëmjes, koncerti “Moto Fest 2022” elektrizoi shëtitoren bregdetare. Edhe pse fund shtatori, Durrësi dëshmoi edhe njëherë se mbetet kampion i turizmit gjatë këtij sezoni turistik.  

M.B.