-…sepse është Shqipëria që na bashkon, është toka e jonë, është amaneti ynë…”
-Rikthehet në vendlindje pas 10 vitesh
-Mall, sentiment, tronditje dhe shumë kënaqësi
-“Ju dua shumë, së bashku me Gëzimin”!
-Lagëm shpirtin me kujtimet e pashuara
-“Largohemi, duke lënë zemrën këtu”

BUJAR QESJA
Në këtë bahçen time ndodhin çudira. Që të gjitha për hajër. Në një sipërfaqe më pak se 6 metra katror, kjo “tokë” e imja më duket e pamatshme. A matet shpirti? Po zemra? Po dëshira për të takuar miq dhe shokë, të afërm dhe të largët, a mund të matet? Prandaj edhe këto 6 metra katror, nuk duhen përmëndur më. Në hapsirat e pafund që ndodhen në shpirtin dhe zemrat tona, “ligjin” e bën e mira, e bukura, e sinqerta, e thjeshta, e madhja brenda modestes, improvizuesja ku dëshirat dhe respekti bashkohen me njëra tjetrën.

Erdhi Sonila, apo Sonia! Dhe shkeli për herë të parë, në këtë gjashtë metra katrorëshin tim. Teksa përqafohemi si prindi me fëmijët, në pjesën e brendëshme të krahut një lëng i ngrohtë më qulli. Ishin lotët e Sonilës, të vajzës së burrit të paharruar të Durrësit Demir Zajmi. Gëzimi e kishte kërcyer pragun tim prej ditësh, e Sonila e ikur prej dy dekadash në tokën e bekuar, mezi priste të takonte gruan time Kostandinën, vëllezërit e saj Sotirin dhe Ilirin, si dhe mua më të madhin e këtij rrethi.

Tavolina e vogël prej metali, m’u duk si një sofër gjigande, që ishin ulur “amerikanët” tanë dhe ne shqiptarët e palëvizur të këtij dheu. Eh ç’u bë aty! E ku mund ta ndërtosh në Amerikë këtë lloj alegrie, e lyer me zemrën dhe shpirtin tonë të sinqertë? E filluam të kujtojmë kohën e 10 viteve, që Sonila nuk ka qenë këtu dhe të viteve e viteve të tjera, ku Sonila ishte këtu.

Vajza e Demir Zajmit, u ngrit shumë lart dhe u vendos në majën e kënaqësisë së miqve të saj dhe fjalët që dilnin nga zemra, të dukej se ishin lyer me mjaltin e nektarit të shpirtit tonë të pastër si qelq. Era e blirit kundërmonte dhe i mblodhi si pelerinë që lëviste nga flladi i kënaqësisë, Gëzimin dhe Sonilën dhe jam i sigurtë se kjo erë do të mbetet si parfum kundërmues pë ti shoqëruar në Amerikën e largët. Është era e jonë, e tokës tonë, e Durrësit tonë. Dhe kjo erë e bekuar, na priti në këtë jetë dhe do të na përcjellë në përjetësi.
Vijnë tek ne shumë nga këto “amerikanët” e Durrësit. Sapo përcolla Enver Mysjen, shkrimin për të cilin jam duke e punuar. Pali Katro ky disident që provoi të arratisej që në moshën 14-15 vjeçare. Kam takuar këto ditë Mikel Silën me të shoqen, Vlash Gramin me Diturinë e tij. Kohë më parë ishte Lad Shkëmbi. Dhe me të gjithë këto amerikanët tanë, përjetojmë momentet e veçanta, shumë të bukura të jetës tonë, mbushur me thjeshtësi, por me vlera që nuk zbehen në jetë të jetëve.

-E Sonila, si të duket Durrësi? Po ne kemi ndryshuar nga pak?
Reagimi i shoqes tonë, bashkshortes së Gëzim Likës, nënës së Gabrielit dhe Glenis-it ishte në përmasat e hipnotizimit. Kënaqësia nga kjo pritje e paplanifkuar, kishte dhënë atë lloj befasie, sa që dukej se qendronte në qiellin e shtatë. Rakia prej mani dhe dëllinje, e ruajtur enkas për këta miq të rrallë na shijoi, veçanërisht mezetë të përbëra nga copëza kujtimesh, ku galeri të shumta personazhesh me jetë dhe pa jetë, parakalonin para memories tonë ende të “ pandryshkur”.

Sonila do të qëndroj në Durrës, aq sa malli mund të shuhej sadopak. Por orët kaluan si minuta dhe ne vendosëm në këtë tavolinë me rrezatim prej qelqi, mirnjohjen, respektin dhe dashurinë për atë që kishim kaluar së bashku dhe për atë që do ta përfytyronim se do ta kalonim.

Ju do të ikni. Do të riktheheni në tokën e bekuar të Amerikës. Atje po bëni kataninë tuaj. Atje rritët fëmijët tuaj, në këtë truall mik. Por njerëz si ju na bëjnë nder. Këtë vatanin tonë, me halle dhe derte të pafund, e doni, e doni aq shumë sa prindërit tuaj. Ju do të ikni dhe ne jemi sërish këtu. Nuk e di sa vite mund të kalojnë dhe ne na keni sërish këtu. Mbase jo në këtë truall gjashtë metroshe.. Mbase jo edhe në këtë tavolinë. Por të jeni të sigurtë, se do të na gjeni duke kalëruar mbi rrugën e artë dhe të bukur të kujtimeve tona, të memories tonë.

Mirëardhshi miqtë tanë! Ne jemi sërish këtu. Dhe jetojmë me erën e prindërve tanë. Eshtrat e tyre, na kanë pranë. Vemi dhe i kujtojmë. Dhe kujtimet kanë edhe lot. Edhe përcjellja ka lot. Janë lot që nuk thahen. Ato mbeten kurdoherë të pastra, të kthjellta, të shndritshme.

Mirëardhshi Sonila dhe Gëzim! Kurdo që të vini, ne do tju presim si tani. Sepse kjo është dhe mbetet gjithnjë detyrë e jona. Kurrë s’ka për të qenë e largët Amerika, sa kohë ju kemi atje. Sepse Shqipëria është ajo që na bashkon. Është toka e jonë! Është amaneti ynë!
Durrës: 11 qershor 2022