Mbrëmjen e djeshme rreth mesnatës u gjet i pajetë në makinë 38-vjeçari nga Durrësi, Betim Kastrati. Policia informoi se ai u gjet në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit të Kolonjës, brenda në automjetin tip “Volvo” me targa AA 550 AI.

Sipas policisë, dyshohet se 38-vjeçari kishte parkuar makinën në mënyrë të rregullt dhe ka vrarë veten me armë zjarri.

Mësohet se Betim Kastrati ishte banues në qytetin e Durrësit, pa precedentë të mëparshëm penalë dhe punonte në Autoritetin Portual në Durrës. Madje ai merrej edhe me arte marciale dhe këtë e shfaqte edhe në rrjetet sociale.

Kohët e fundit sipas familjarëve, ai kishte shfaqur shenja depresioni. Kastrati ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë të mitur.

Nga tërësia e veprimeve paraprake të kryera dhe provat e gjetura në vendngjarje, policia ka dyshime se Kastrati është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë si pasojë e depresionit.

Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.