Gazetari nga Durrësi, Aldo Mustafa,  shpallet fitues për foton më të mirë në kategorinë “Agroturizëm dhe kulinari” në konkursin ndërkombëtar të fotografisë dhe videove më të bukura promovuese për Shqipërinë Turistike.

Kjo është fotoja me të cilën i riu 27-vjeçar fitoi në këtë konkurs ndërkombëtar, ku morën pjesë 687 konkurrentë nga 40 vende të botës.

“Ishte surprizë për mua fitorja në këtë konkurs ndërkombëtar. Vetëm disa orë para se të mbyllej konkursi mësova se isha përfshirë në garë. Ndërkohë dje (e martë) erdhi supriza e dytë, kur më morën në telefon dhe më thanë që isha fitues, sepse juria më kishte përzgjedhur. Nuk e prisja vërtet. Ishin 7000 foto në garë, nga të cilat u përzgjodhën 300, që do të përfshihen në një album për promovimin e vendit”,– tregon Mustafa për “DurrësLajm”.

Të gjitha fotot dhe videot reals të konkurentëve pjesëmarrës u dërguan në faqen Wanderlust in Albania, dhe më pas u përzgjodhën vetëm më të mirat.

Vlerësimet për fituesit u bën nga një juri e përbërë nga pesë anëtarë, tre prej të cilëve nga Shqipëria, një nga Gjermania dhe një nga Italia.

Krahas fituesve në Shqipëria në kategoritë e ndryshme të konkursit si peizazh, agroturizëm dhe kulinari, arkitekturë, monumente dhe site arkeologjike, folklor etj. fitues pati dhe të huaj të cilët gjatë kohës që kishin vizituar Shqipërinë kishin fotografuar dhe xhiruar pamje tejet të bukura e më pas i kishin shpërndarë në rrjetet e tyre sociale.

Aktiviteti kishte në fokus promovimin e mëtejshëm të Shqipërisë turistike.