12 maj 2015 –Në kuadër të takimeve që Grida Duma zhvillon në qytetin e Durrësit për t’u njohur me problemet që shqetësojnë banorët në zona të ndryshme, sot ajo është ndalur në Nishtulla, ku ka bashkëbiseduar me komunitetin rom në këtë lagje.
Pasi pa kushtet e vështira ku jeton ky komunitet, Duma u shpjegoi se bashkia e re do të angazhohet me projekte të ndryshme për romët. Sipas saj, deri më tani në Durrës duhet të ishin ndërtuar dy qendra për ta, por s'është bërë asgjë. Duma u premtoi gjithashtu se do t’u ofrojë punësim, pasi strehimi dhe punësimi janë prioritet për këtë komunitet.
"Nuk ju kanë trajtuar ndonjëherë as me fondet e Bashkimit Europian. Kam qënë zëvendësministre e Integrimit dhe e di shumë mirë se sa fonde sjell Europa vetëm për komunitetet tuaja. Duhet të ishin ndërtuar dy qendra tani në Durrës. Asnjë nuk është ndërtuar. Duhet të ishte ndërtuar të paktën një qendër shëndetësore për ju. Të shkojmë bashkë drejt një të nesërme tjetër ku do t’ju ofroj punë dhe do të punoni me mua.
Vetëm punësimi mund të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve. Sërish ju duhet rruga dhe strehimi. Sado të jetë rroga juaj, prapë nuk e përballoni dot strehimin", u shpreh para romëve kandidatja për Bashkinë e Durrësit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





