25 maj 2015 – Qytetarët e Durrësit ankohen se mungojnë autobusët në masë, oraret janë të kufizuara, mungojnë abonetë në sasi të mjaftueshme etj. Për të gjitha këto probleme, Grida Duma ka premtuar zgjidhje në rast se do të fitojë garën për bashkinë e Durrësit.
Duke udhëtuar me linjën e urbanit të Porto Romanos si një qytetare e thjeshtë, kandidatja demokrate bëri premtimet e radhës kësaj here nga autobusi, të cilat lidhen me problematikat që ka transporti publik në qytetin e Durrësit.
“Autobusët mungojnë, nuk ka orare të shpeshta dhe orari është i kufizuar. Mungojnë abonetë në sasi të mjaftueshme dhe nuk ka mbulim në mjaft zona të qytetit dhe rrethinave. Sot qyteti mbulohet në rreth një të tretën e nevojës me shërbim transporti publik.
Do t’i dyfishojmë linjat e autobusëve. Do të shtrijmë linja edhe atje ku nuk ka. Qyteti do të ofrojë linja transporti publik me abone për studentët, me tarifa zero për invalidët dhe për fëmijët e shkollave po projektojmë një linjë të dedikuar vetëm për shkollat”, thotë Duma.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





