Në kuadër të javës së turizmit të shpallur nga bashkia Durrës, shkolla “Hysen Çela” organizoi në sheshin “Liria” panairin “Të njohim profesionet përmes shkollës”.

Arsimi profesional mbetet një zgjedhje e parë për shumë të rinj që duan të marrin një profesion që në vitet e shkollës së mesme. Për shumë nga nxënësit e shkollës teknologjike “Hysen Çela”, përzgjedhja e bërë vite më parë do t’u mundësojë punësim të shpejtë, sapo të mbarojnë studimet në sektorin e turizmit, detarisë, stilimit etj.

Mes stendave të panairit ishin ekspozuar punime të nxënësve nga të gjitha degët si konfeksion-stilim, ekonomi-biznes, teknologji ushqimore, detari etj. Vëmendje tërhiqnin veshjet e realizuara me materiale të riciklueshme, produktet ushqimore, etj.

Drejtoresha e shkollës, Blerina Dervishi, tha për “DurrësLajm” se interesimi i adoleshentëve për arsimin profesional dallohet nga kërkesa e lartë që vjen prej nxënësve të arsimit 9-vjeçar.

Kërkesat e tregut të punës për profesionet e arsimit profesional janë të larta vit pas viti, sidomos pas emigrimit masiv të të rinjve. Sipas statistikave të shkollës “Hysen Çela”, 80% e nxënësve janë punësuar në sektorin e turizmit, 10% e tyre kanë hapur biznese personale, ndërsa të tjerë vijojnë studimet e larta.

M.B.