Një 21-vjeçar me shtetësi belge ka mbetur rëndë i plagosur pas një aksidenti me mjet lundrues në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme. Burime zyrtare bëjnë me dije se i riu, i identifikuar me inicialet H. K., dyshohet se ka humbur kontrollin mbi Jet Ski-n që po drejtonte dhe ka përfunduar në ujë.

Fill pas aksidentit, ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe më pas është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar. Aktualisht, ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, Policia ka shoqëruar në Komisariat pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh., për veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.